Partitë shqiptare në opozitë e vlerësojnë si jo të sinqertë qëndrimin e BDI-së për kandidatin për president por edhe gatishmërinë për të garuar bashkërisht. Lideri i ASH-së, Ziadin Sela vlerëson se çdo gjë që del nga BDI-ja duhet përbuzur nga shqiptarët, duke i kujtuar Ahmetit qëndrimin e tij se “nuk ulet me horra”. Lidhur me kandidatin e përbashkët me opozitën shqiptare, Sela shton se një gjë e tillë do të diskutohen në mbledhjen e partisë.
Vendimet e tyre le t’i vlerësojë opinioni, analistët politik dhe të tjerë. Le t’i kenë parasyshë edhe ato se çfarë kanë thënë deri dje. Ne kishim një komunikat si ASH dhe nesër kemi mbledhje të kryesisë qendrore. Mendoj se gjithçka që del nga goja e BDI-së, nga shqiptarët meriton përbuzje- deklaroi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.
Besa e Bilall Kasamit shpreh gatishmërinë për një kadidat të përbashkët mbipartiak, duke i kujtuar BDI-së se unifikimin e faktorin politik shqiptar e kërkon vetëm në situata kur has në vështirësi me partnerët e koalicionit.
Ky ndryshim i qendrimeve politike në një kohë kaq të shkurtë është reflektim i një pozicioni të dobësuar të BDI-së. Çdoherë kur BDI has në vështirësi tek partnerët e saj maqedonas, shpëtimin e saj e kërkon te unifikimi i faktorit politik shqiptar. Edhe njeherë përsërisimin qëndrimin tonë se jemi për një kandidat shqiptar i cili do arrijë të faktorizojë peshën politike të shqiptarëve dhe një gjë është e siguritë se në BDI nuk ka një figurë të tillë- thonë nga Lëvizja Besa.
Besa e Afrim Gashti, pjesë e Qeverisë njofton se janë duke u shqyrtuar të gjitha opsionet. Integristët i dhanë mbrëmë kreut të partisë Ahmeti besimin që të vendos se si do të veprojë BDI në zgjedhjet presidenciale. Ahmeti tha se BDI-ja do të garojë me kandidat të vetin, ndërsa la të hapur opsionin për bashkëpunim edhe me partitë opozitare por edhe me LSDM-në.
Opsionet janë të hapura, por BDI ka vendim që do të dalë me kandidatin e vet por të gjitha opsionet janë të hapura. Do komunikoj me partitë shqiptare për një kandidat të mundshëm. Procesi vazhdon- pohoiAli Ahmeti, kryetar i BDI-së.
LSDM dhe PDSH nuk kanë komentuar qëndrimet e BDI-së ndaj kandidatit për president.