Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kërkoi hetim nga organet e drejtësisë dhe sigurisë pas publikimit të Exit-polleve nga tri televizione për zgjedhjet lokale.
AGK-ja, përmes një postimi në Facebook, theksoi se mediat në Kosovë kanë respektuar Ligjin për Zgjedhjet dhe rregulloren e KPM-së, duke mos publikuar asnjë Exit Poll para orës 19:00, kur u mbyllën qendrat e votimit.
Sipas tyre, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ana e mediave në procesin zgjedhor.
“AGK-ja i vlerëson si shumë të rrezikshme thirrjet e Kurtit për hetime pas publikimit të këtyre Exit Polleve, pasi që ato përbëjnë sulm të hapur ndaj lirisë së medias. Exit Pollet kanë histori të gabimeve edhe në shumë vende të tjera demokratike, duke përfshirë SHBA-të në vitin 2016.
AGK-ja e fton zotin Kurti dhe partinë e tij që të mos ndërhyjë dhe të mos bëjnë presion ndaj mediave gjatë punës së tyre për mbulimin e zgjedhjeve”, shkroi AGK-ja në Facebook.