Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim dhe zhgënjim ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me raportin e fundit të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, ku Kosova është renditur në vendin e 99-të sa i përket lirisë së mediave.
Në një tubim të partisë së tij, Kurti ka shmangur adresimin e gjetjeve konkrete dhe, përkundrazi, ka fajësuar gazetarët dhe mediat për pozicionimin e ulët të vendit në këtë renditje globale.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpeh zhgënjim të thellë me qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, një javë pas publikimit të raportit për Kosovën të “Reporterëve pa Kufij”. Në një fjalim gjatë një tubimi të partisë së tij, Kurti ka dështuar të adresojë gjetjet e raportit, duke fajësuar mediat dhe gazetarët për renditjen në vendin 99. Kurti ka ofruar “trajnime dhe kurse nga Qeveria për gazetarë dhe media”, që është një përpjekje serioze e e papranueshme për ndikim qeveritar në punën e tyre, dhe tendencë për të vënë në pikëpyetje profesionalizimin e mediave kosovare.” – thuhet mes tjerash në reagim.
AGK thekson se Kurti shmangu trajtimin e çështjeve si miratimi i ligjit anti-kushtetues për Komisionin e Pavarur të Medieve, ndikimin politik të partisë së tij në Transmetuesin Publik, RTK dhe as fushatën e vazhdueshme të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes ndaj gazetarëve dhe mediave, nga zyrtarë të partisë së tij.
Në reagimin e saj, AGK i bën thirrje Kurtit dhe çdo qeverie të re të ardhshme që të angazhohet në një dialog të hapur me të gjithë aktorët relevantë, për të adresuar me seriozitet sfidat që lidhen me lirinë e medias.
“Kryeministri në detyrë Kurti nuk ka përmendur miratimin e ligjit anti-kushtetues për Komisionin e Pavarur të Medieve, ndikimin politik të partisë së tij në Transmetuesin Publik, RTK dhe as fushatën e vazhdueshme të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes ndaj gazetarëve dhe mediave, nga zyrtarë të partisë së tij. AGK-ja e fton zotin Kurtin ose këdo që e formon Qeverinë e re të angazhohet në një dialog të hapur me të gjithë hisedarët, në mënyrë që të trajtohen me seriozitet gjetjet e Raportit dhe të punohet për përmirësimin e lirisë së mediave në Kosovë.” – thuhet më tej në reagimin e AGK-së.