Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është thellësisht i shqetësuar me një valë të re të sulmeve kibernetike kundër portalit, Vox Kosova.
AGK-ja është njoftuar se llogaria e kësaj media në Facebook në kohët e fundit është mbyllur dy herë, llogaria në Tik Tok dy herë, kurse ajo në Instagram një herë.
AGK-ja dënon fuqishëm këto sulme ndaj Vox Kosova, e që minojnë lirinë e medias dhe shprehjes në Kosovë, dhe kanë për qëllim pengimin e shpërndarjes së lirë të informacionit.
AGK-ja e fton Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që të zhvillojnë hetimet e nevojshme, për të gjetur dhe dënuar autorët e sulmeve.
Gjithashtu, kërkohet rritje e nivelit të bashkëpunimit me organet kompetente nga Gjermania, prej nga është identifikuar se vijnë sulmet.
AGK-ja qëndron në mbështetje dhe solidaritet të plotë me Vox Kosova, dhe të tjera media që kohëve të fundit janë penguar për ta kryer punën e tyre si pasojë e këtyre sulmeve.










