AGK-ja dënon sjelljen e kryetarit të Pejës ndaj gazetares së “Betimi për Drejtësi”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar ashpër sjelljen e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ndaj gazetares së emisionit hulumtues Betimi për Drejtësi, Shpresë Hasimi.

Sipas AGK-së, në pamjet e transmetuara në emision, Muhaxheri, i cili vjen nga radhët e LDK-së, dëgjohet duke iu drejtuar gazetares me fjalorin “Baju”, në mënyrë nervoze, si dhe duke përplasur derën e veturës zyrtare në të cilën hyn. Ngjarja ka ndodhur pasi gazetarja i kishte parashtruar një seri pyetjesh lidhur me dyshimet për kurdisje në këmbimin e një prone milionëshe në Komunën e Pejës.

AGK-ja thekson se kryetari Muhaxheri nuk i ishte përgjigjur as kërkesës zyrtare për intervistë me ekipin e gazetarëve në zyrën e tij, duke e vlerësuar këtë qasje si të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

Në reagimin e saj, AGK-ja e fton kryetarin e Pejës të kërkojë falje publike për fjalorin dhe sjelljen e papërshtatshme ndaj ekipit të gazetarëve, si dhe të ofrojë transparencë të plotë për çështjet me interes publik.

“Zyrtarët e lartë, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë lokal, duhet të respektojnë punën e rëndësishme të gazetarëve dhe të zbatojnë ligjin për ofrimin e informacioneve mbi vendimet që marrin, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.