AGK: Familjet e gazetarëve të vrarë në Kosovë kanë pritur me dekada për drejtësi

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund Pandëshkueshmërisë ndaj Krimeve kundër Gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka kërkuar drejtësi për gazetarët e vrarë në vend dhe llogaridhënie nga institucionet e drejtësisë.

Kryetari i bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka theksuar se familjet e gazetarëve të vrarë në Kosovë prej dekadash po presin drejtësi, ndërsa mosndëshkimi vazhdon të pengojë lirinë e medias dhe punën e gazetarëve investigativë.

“Pandëshkueshmëria dekurajon gazetarët që të vazhdojnë misionin e tyre për të zbuluar të vërtetën,” ka deklaruar Rexha, duke bërë thirrje për hetim të plotë dhe transparent të rasteve të pazgjidhura të vrasjeve të gazetarëve.

AGK ka përsëritur angazhimin e saj për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale ndaj çdo sulmi që cenon lirinë e medias në Kosovë.