“Është dikush që po krijon probleme”. Një muaj pas akuzës se Juventusi e trajton lojtarin e tij si një kukull, agjenti i Timothy Weah, Badou Sambague, rikthehet të sulmojë drejtuesit e klubit bardhezi, të cilët sipas tij po kërkojnë “një pasuri për kartonin e lojtarit” nga hakmarrja dhe po presin “një ofertë nga Premier League që nuk do të vijë kurrë dhe që nuk do ta pranojmë kurrë”.
Anësori amerikan ka arritur prej javësh marrëveshje për transferimin te Marseille, por dy klubet janë larg në vlerësim. Francezët ofrojnë 15 milionë euro, ndërsa Juventusi kërkon 20. Sepse, nëse në fund të qershorit, bardhezinjtë do ishin kënaqur me një shumë totale prej 22 milionësh për të shitur Weah dhe Mbangula te Nottingham Forest, vetëm për të realizuar një plusvalencë, tani, pas pagesës shtesë prej 15 milionë eurosh nga “Exor”, urgjenca nuk ekziston më.
Dhe çmimi ndryshon. Për më tepër, ekziston edhe çështja e komisioneve, që të dy klubet i konsiderojnë të tepërta. Pikërisht në këtë kontekst vjen edhe akuza e Sambague. “Juventusi është një klub fantastik dhe sektori sportiv menaxhohet nga tre persona. Dy kanë klas, ndërsa një tjetër ende po kërkon rrugën e tij. Dy kërkojnë zgjidhje, ndërsa një po krijon probleme, gjë që nuk mund ta tolerojmë”, – tha agjenti i Weah në një deklaratë, pa e përmendur me emër, por duke iu referuar me shumë gjasë Damien Comolli, pasi Modesto ka ardhur më vonë, ndërsa Chiellini nuk merret drejtpërdrejt me negociatat.
“Tim, gjithmonë profesionist, u përjashtua gjatë Kupës së Botës për Klube, duke ia mohuar atë përvojë. Ky person donte ta detyronte të shkonte atje ku donte ai. Sot, për hakmarrje, kërkon një pasuri për kartonin e tij dhe pret një ofertë nga Premier League, që nuk do të vijë kurrë dhe nuk do ta pranojmë. Nuk jam mësuar të flas publikisht, por të mos e bëja sot do të thoshte të pranoja të papranueshmen dhe një mungesë totale respekti. Klasi nuk blihet, kjo është e sigurt, por gjithmonë ka qenë pjesë e historisë së Juves. Tashmë, dikush po e minon atë. Do të shohim…”
The post Agjenti i Weah sulmon Juventusin: Ky drejtues po krijon probleme, për hakmarrje kërkon një pasuri appeared first on Telesport.