Në më pak se një vit pasi Neymar u largua nga Barcelona në drejtim të Paris Saint-Germian, thashethemet e para për një rikthim në Kataloni kanë filluar të shfaqen.
Kjo ishte në vitin 2018 dhe shtatë vite më pas, përmes aventurave tek PSG, Al-Hilal dhe tani Santos, ylli brazilian duket ende i interesuar për t’u rikthyer tek blaugranasit.
Neymar ishte lidhur me një rikthim tek Barcelona në verën kur u largua Lionel Messi dhe kishte zëra për një rikthim të tij edhe verën e kaluar gjithashtu.
Pas rikthimit të Neymar nga lëndimi i rëndë i ligamenteve të gjurit, ai shkëputi kontratën me Al-Hilal në Arabinë Saudite dhe nënshkroi një kontratë afatshkurtër me Santosin.
Qëllimi i tij atje është që të rikthehet në formë optimale fizike, por ai do të jetë sërish lojtar i lirë në verë dhe e përditshmja katalanase Sport, ka raportuar se agjenti i tij Pini Zahavi, i ka komunikuar drejtuesve të Barcelonës dëshirën e Neymarit për t’u rikthyer.
Zahavi, i cili ka një marrëdhënie të ngushtë me presidentin Joan Laporta, i shpjegoi atij se Neymar do të transferohej falas dhe është i gatshëm të pranojë një pagë të arsyeshme për ta bërë realitet këtë lëvizje.
Momentalisht departamenti i sportit të Barcelonës e cilësojnë Neymarin si një opsion në tavolinë, por pa qenë i vetmi ose objektivi kryesor.
Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat, sidomos duke ditur se trajneri Hansi Flick ishte kundër idesë së rikthimit të Neymar tek Barcelona