Agjencisë së Menaxhimit Emergjent i shtohen edhe 51 pjesëtar të zjarrfikjes dhe shpëtimit

Në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Agjencia e Menaxhimit Emergjent organizoi ceremoninë e përfundimit të trajnimit bazik për 51 zjarrfikës të rinj. Ky trajnim kishte për qëllim përgatitjen profesionale të pjesëtarëve të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm të përballen me sfidat e këtij profesioni dhe të kontribuojnë në strukturat profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit.

Gjatë trajnimit, pjesëtaret e zjarrfikjes dhe shpëtimit u njohën me teknikat e avancuara të shuarjes së zjarreve, procedurat operative dhe përdorimin e pajisjeve të specializuara. Përveç aftësive teknike, ata mësuan rëndësinë e disiplinës, bashkëpunimit në ekip dhe elementeve kyçe për suksesin e një zjarrfikësi shpëtues.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë drejtuesit e institucioneve të sigurisë nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Inspektoratit Policor dhe drejtues të shërbimit zjarrfikës.

Në fjalën e tij, Drejtori Ekzekutiv i AME-së, z. Genc Metaj, vlerësoi punën dhe përkushtimin e zjarrfikësve të rinj, të cilët tashmë janë të gatshëm të shërbejnë me përgjegjësi dhe guxim në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve. Ai theksoi se ky është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës në vendin tonë.