Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) e Republikës së Kosovës, iu përkujton subjekteve politike, të cilat garojnë në fushatën elektorale për zgjedhje parlamentare “Tetor 2019”, respektimin dhe zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës neni 6-të, pika (8-të) për përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative me përfaqësim 50 % (për qind) për secilën gjini, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Agjencia ju përkujton subjekteve politike se një përfaqësim i barabartë gjinor në vendim-marrjen politike e legjislative të vendit është reflektim dhe zbatim i drejtpërdrejtë si dhe jetëson Kushtetutën e Kosovës sipas së cilës, “Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore”.
Barazia gjinore, e reflektuar përmes pjesëmarrjes së barabartë 50% për secilën gjini është vlerë themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike, thuhet në komunikatë.
“Parimi i 50% duhet të përshkojë listat zgjedhore për përfaqësim të barabartë duke respektuar masën afirmative, programet e partive politike me propozime konkrete për pjesëmarrje, përfaqësim dhe zhvillim të barabartë dhe cilësor mes gjinive, fuqizimin socio-ekonomik të grave, dhe nxitjen e pjesëmarrjes në votime të grave dhe burrave në Kosovë. Për të arritur barazinë e vërtetë gjinore dhe për të gëzuar të drejta të plota njerëzore, ndryshimet duhet të jenë konkrete, të shpejta, vendimtare, të dukshme dhe gjithëpërfshirëse, prandaj duhet të kontribuojnë të gjithë që të shënojmë progresin që na detyron korniza ligjore e Kosovës dhe ardhmja Evropiane të cilën synojmë”, thuhet në komunikatë.
Parimi i përfaqësimit të barabartë prej 50 % për secilën gjini po ashtu duhet të reflektohet edhe në trupat mbikëqyrëse të zgjedhjeve – Komisionet Komunale Zgjedhore dhe Këshillat e vendvotimit.
Gjithashtu subjektet politike duhet të angazhohen plotësisht në sigurimi dhe përkrahjen financiare të fushatës së kandidateve gra në mënyrë të barabartë sikurse dhe për kandidatët burra, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin për Financimin e Partive Politike dhe Ligjin Për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës.
Agjencia për Barazi Gjinore ju përkujton subjekteve politike që gjatë fushatës elektorale në gjuhën e përdorur në takime me elektoratin, programet dhe premtimet elektorale, materialet promovuese të subjekteve politike të evitojnë gjuhën seksiste, të dhunshme, dhe stereotipet gjinore.
Agjencia për Barazi Gjinore ju bën thirrje mediave që të ofrojnë hapësirë të barabartë për gratë kandidate që të shpalosin programin e tyre. Paraqitja mediale është e rëndësisë së veçantë në fushatë zgjedhor, dhe ajo duhet të jetë e qasshme dhe transparente për të gjithë kandidatët pa dallim gjinie.
Ndërtimi i një shoqërie me vlera demokratike që punon për harmoninë shoqërore përmes promovimit të vlerave dhe parimeve të barazisë gjinore, i kontribuon paqes dhe mund të arrihet vetëm përmes konsensusit, dialogut, respektit për diversitetin e mendimit, përkatësisë ideologjike, gjinore, etnike e kulturore, respektimt të të drejtave dhe lirive të individit.
Po ashtu, rikujtojmë se bazuar në Ligjin për Barazi Gjinore Neni 5 pika 2, thekson se: Çdo dispozitë, e cila është në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij Ligji shfuqizohet.