PRISHTINË – Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) mbajti sot ceremoninë zyrtare të hapjes së ofertave për shitjen e aseteve përmes Likuidimit nr. 73, ku shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e ndërmarrjeve shoqërore të përfshira në këtë proces.
Ceremonia u zhvillua në “Sallën e Konferencave” të Hotelit Grand në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00. Në prani të investitorëve, përfaqësuesve të mediave dhe publikut të gjerë, u bë dorëzimi i ofertave, hapja publike e tyre dhe publikimi i rezultateve. Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt edhe në faqen zyrtare të Agjencisë: www.pak-ks.org, duke mundësuar ndjekjen në kohë reale për të gjithë qytetarët e interesuar.
Për 98 asetet që ishin në dispozicion për shitje, u pranuan gjithsej 70 oferta. Vlera totale e ofertave më të larta arriti në 3,247,512 euro.
Lista e plotë e rezultateve të ofertave është publikuar në ueb-faqen zyrtare të AKP-së: www.pak-ks.org.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, vepron në të gjithë territorin e vendit dhe ka mandat të plotë për shitjen ose bartjen e aseteve dhe ndërmarrjeve shoqërore te investitorët privatë, përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe efikas.