Në vazhdën e reagimeve për kompaninë për shitblerje të energjisë elektrike të themeluar nga siç u raportua Luan Dalipi, shef i kabinetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gazetari dhe moderatori i emisionit “Rubikon” Adriatik Kelmendi ka thënë me mllef se kjo çka po i bëhet popullit të Kosovës është “pak në krahasim me çka e meriton”.
Në një postim në Facebook, ai ka numëruar një varg personash të afërt me Kurtin që merren me energji elektrike.
“Vëllai i Albinit diçka i lidhur me shitje të rrymës. Vëllai i shefit të stafit të Albinit me kompani për shitje të rrymës. Ambasadori i Albinit në Kroaci, tregtar i rrymës. Besnik Bislimi i Albinit në WhatsApp me Dejonën e Albinit menaxhojnë me rrymën. Këshilltarë të tjerë të Albinit në biznes të rrymës. Kompani të reja ‘fantome’, si kjo NOA, e regjistruar në kohën e Albinit, me qindra milionë qarkullim me shitblerje të rrymës. Ish-drejtori i KEK-ut, anëtar i Vetëvendosjes! së Albinit, i akuzuar për keqpërdorime milionëshe. Qindra militantë të Albinit të punësuar në konkurse të KEK-ut”, ka shkruar Kelmendi.
Më tej, ai ka thënë se kurrë më shumë se në kohën e Albinit nuk është shtrenjtuar rryma në Kosovë, dhe se kurrë më shumë se në kohën e Albinit nuk ka pasur blerje të rrymës nga jashtë.
“Kurrë asnjë llogaridhënie në kohën e Albinit për fitimet e ‘oligarkëve turq’ të KEDS/Kesco”, tha moderatori i emisionit Rubikon.
Ai hodhi dyshime se asnjë nga këto veprime nuk po bëhen rastësisht.
“A bash po kujtoni që krejt këto rastësisht po ndodhin a?! Në kohë të Albinit?! A krejt ky siklet për t’i futur 1300 kompani në blerje të rrymës 4-5 fish më shtrenjtë sesa është megavati sot në Francë, Austri e Gjermani?! A bash kaq naivë jemi a?! Atëherë pak po na e bën! Durojmë”, shkroi Kelmendi.
KALLXO.com ka raportuar se kompania Management&Development Associates L.L.C (MDA), është në proces të marrjes së licencës për shitblerje të rrymës nga Zyra e Rregullatorit Ekonomik (ZRrE), sipas listës publike të po këtij rregullatori.
Aty thuhet se procesi i licencimit ka nisur nga data 27 maj e këtij viti.
Ky medium thotë se MDA është e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), si “Shoqëri me përgjegjësi të kufizuara” në emër të Driton Dalipit më 09.01.2004.