Afera Whatsapp, Kusari-Lila “i çon selam” Nagip Krasniqit për dy punësime, “do të përkujdesem” i thotë ai

Nagip Krasniqi me dy aktakuza për korrupsion, si ish-kryeshef i KEK-ut siç duket ishte i hapur të kryente punë edhe për shefen e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ai përveç me Dejona Mihalin, Artane Rizvanollin e Kurtin, bisedonte edhe me Mimoza Kusari-Lilën. Kjo dëshmohet në një bisedë e radhës në platformën e komunikimit, WhatsApp, të cilën e ka siguruarPaparaci. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ia propozonte Krasniqit dy emra për punësim në KEK.

Mimoza Kusari-Lila ndërhynte në konkurse të brendshme të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Nagip Krasniqi, ish-kryeshef i KEK-ut, kryente punë për gjithçka.

Një bisedë tjetër në platformën e komunikimit ËhatsApp, të cilën e ka siguruar Paparaci, dëshmon se si shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje i referonte Nagip Krasniqit emra kandidatësh për pozita pune në KEK.

Komunikimi mes tyre, i zhvilluar më 27 janar të vitit 2022, është pjesë e hetimeve penale që rezultuan me dy aktakuza për korrupsion ndaj Nagip Krasniqit. Këto janë prova të njërës prej lëndëve të inicuara ndaj Krasniqit, por të cilat nuk janë administruar në gjykatë.

Kusari-Lila dukej se kishte komunikim të rregullt me Krasniqin.

Në bisedën e zhvilluar me 27 janar të vitit 2022, ajo i shkruan Krasniqit për një procedurë punësimi që besohet se po zhvillohej asokohe në KEK.

Shefja e deputetëve të LVV-së kishte synim sistemimin në punë të dy personave: një inxhinieri, Fidan Mustafa dhe një punëtori, Fatmir Krasniqi.

“Përshëndetje Nagip”, i shkruante Kusari-Lila, ish-kryeshefit të KEK-ut të akuzuar për korrupsion.

Kusari-Lila i drejtohet Krasniqit me dy referenca për dy kandidatë, të cilët e kishin kaluar fazën e parë të procedurës së rekrutimit për dy pozita pune në KEK.

“Deshta vetëm të dërgoj dy referenca për dy kandidatë të cilët i kanë kaluar testet me shkrim: Fidan Mustafa – inxhinier; Fatmir Krasniqi – punëtor”, i thotë Kusari-Lila, Krasniqit.

Në fund të bisedës, pasi i propozon për punësim dy emra, ish-ministrja e Tregtisë i shpreh Krasniqit dëshirën për një proces korrekt.

“Pa ndonjë ngarkesë vetëm se deshta të sigurohemi në proces korrekt”, thekson Kusari-Lila.

Krasniqi, i cili në serinë e shkrimeve për bisedat e publikuara të ËhatsApp-it është dëshmuar se i raportonte kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtares së Vetëvendosjes, Dejona Mihali, i përgjigjet pozitivisht edhe Kusari-Lilës.

“Falemnderit Mimoza, Do të përkujdesem”, i thotë Krasniqi, Kusari-Lilës.

Paparaci ka dërguar sot pyetje me shkrim në adresë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të kërkuar sqarime nëse dy personat e propozuar nga Kusari-Lila janë punësuar në KEK, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, i tha Paparacit përmes telefonit të mërkurën se korporata do të përgjigjet në pyetjet e mediumit sot, ose nesër – të enjten.

As Kusari-Lila nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet me shkrim që Paparaci ia ka dërguar të mërkurën përmes telefonit.

Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, është përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të katër viteve të fundit.

Disa audio-incizime të publikuara nga Nacionale dhe Paparaci, dëshmojnë se Kusari-Lila ka biseduar në telefon me Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili mori përgjegjësi për sulmin terrorist të Banjskës dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar

Audio-incizimet tregojnë përpjekjen e shefes së GP të Lëvizjes Vetëvendosje për koordinim me Radoçiqin, shefin faktik të Listës Serbe, për çështje të agjendës legjislative.