Ora 11:00 e së hënës është afati i fundit për subjektet politike dhe kandidatët që të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të vazhdojë me certifikimin e rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Një ankesë tashmë është paralajmëruar nga kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiq, pasi të shtunën nuk u miratua lista e kandidatëve të kësaj partie.
Vendimi u mor me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë të KQZ-së abstenuan.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, PZAP-ja ka afat prej katër ditësh për shqyrtimin e ankesave.
Pas marrjes së vendimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda dy ditësh, ndërsa kjo e fundit ka tri ditë kohë për të vendosur.
Duke u bazuar në këto afate ligjore, vendimmarrja përfundimtare pritet të përfundojë deri në mesin e muajit shkurt.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte njoftuar se subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat ndaj vendimeve të KQZ-së në PZAP, duke filluar nga e shtuna, 31 janar 2026, nga ora 11:00, brenda afatit prej 48 orësh.










