Afati drejt fundit: Deri tani vetëm një koalicion është paraqitur në KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon periudha në të cilën partitë politike të regjistruara duhet ta informojnë institucionin lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 përmes koalicioneve. Ky afat, i hapur më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka konfirmuar se deri të mërkurën më 26 nëntor 2025, në orën 10:00, është paraqitur një koalicion për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Deri më tani (e mërkurë, 26 nëntor 2025, ora 10:00), KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e një koalicioni për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim: “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga partitë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike”, ka deklaruar ai.

Elezi shtoi tutje se partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ.

“Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, theksoi ai për Telegrafin

Ndryshe, ditën e martë, KQZ mori vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Buxheti i planifikuar dhe miratuar për këto zgjedhje është në vlerën: 11,493,526 Euro.

Kostoja fillestare e planifikuar dhe prezantuar në mbledhjen e KQZ-së ishte në vlerën 7,771,486 Euro.

Vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës. Kostoja e përafërt për dërgimin e pakove me fletëvotime përmes shërbimit postar është në vlerën e 3,722,040 dhe është llogaritur për rreth 84,000 votues potencial.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e Qendrave të Votimit në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Në ditën e zgjedhjeve, procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, prej të cilave 910 qendra për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimin me kusht.