Aeroplani i “Amerikan Airlines” merr flakë në aeroportin e Denverit, në bord 173 pasagjerë

Të shtunën pasdite, një incident i rrezikshëm ndodhi në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Denverit, kur një aeroplan pasagjerësh i kompanisë American Airlines u përfshi nga flakët.

“Fluturimi 3023, ke shumë tym,” i tha kontrolli i trafikut ajror pilotit, sipas 9News, dega lokale e NBC-së. “Je në të vërtetë në flakë,” shtuan ata pak çaste më vonë.

Në bord ndodheshin 173 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, të cilët arritën të evakuoheshin të gjithë në mënyrë të sigurt. Vetëm një pasagjer u dërgua në spital me lëndime të lehta.


Sipas një deklarate për Daily Beast, një zëdhënës i American Airlines sqaroi se bëhej fjalë për një incident mekanik që përfshinte gomat e avionit, i cili ndodhi gjatë përpjekjes për ngritje rreth orës 14:45 me orën lokale. Avioni, një Boeing 737 MAX 8, ishte nisur me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit.

Pamjet dramatike të postuara në rrjetet sociale tregojnë pasagjerët duke u evakuuar nga aeroplani përmes rrëshqitëses së emergjencës në pjesën e përparme, ndërsa flakët përfshinin marshin e uljes në pjesën e pasme të avionit.

“Të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe avioni u nxor jashtë shërbimit për t’u inspektuar nga ekipi ynë i mirëmbajtjes,” tha zëdhënësi i American Airlines.
“Falënderojmë anëtarët e ekipit tonë për profesionalizmin e tyre dhe u kërkojmë ndjesë klientëve tanë për përvojën e tyre.”

Departamenti i Zjarrfikësve të Denverit konfirmoi përmes një postimi në rrjetet sociale se kishte arritur të shuante zjarrin e vogël në pistë rreth orës 17:10 me kohën lokale.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) njoftoi se do të nisë një hetim për të zbuluar shkakun e incidentit.