Një burrë që e kishte kthyer rishtazi familjen e tij nga Shtetet e Bashkuara në Pakistan është rrëfyer për vrasjen me armë të së bijës adoleshente, e motivuar nga pakënaqësia e tij për përmbajtjen e publikuar nga vajza në aplikacionin “TikTok”.
Vrasja ndodhi në një rrugë të qytetit Quetta të martën. I dyshuari, Anwar ul-Haq, fillimisht tha se persona të armatosur të paidentifikuar e qëlluan dhe e vranë të bijën e tij, para se të rrëfente për krimin që e kishte kryer vetë, tha zyrtari policor, Babar Baloch, raporton gazeta “The Guardian”.
“Hetimi ynë deri më tani ka zbuluar se familja kishte një ankesë për veshjen e saj, stilin e saj të jetesës dhe tubimin social” – tha një hetues tjetër policor, Zohaib Mohsin. “Ne e kemi telefonin e saj. Ai është i mbyllur. Po i hetojmë të gjitha aspektet, përfshirë vrasjen për nder” – shtoi ai.
Familja ishte kthyer rishtazi në provincën Baloçistan në Pakistanin me shumicë myslimane, vend me norma shoqërore konservatore, pasi kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara për rreth 25 vjet, tha zyrtari policor Baloch, transmeton nacionale.
I dyshuari ka shtetësi amerikane, tha oficeri, duke shtuar se Haqi i kishte thënë atij se e bija kishte filluar të krijonte përmbajtje “të ankueshëm” në rrjetin “TikTok”, kur ajo jetonte në ShBA.
Ai i tha policisë se vajza kishte vazhduar që të shpërndante video në platformën e njohur pasi ishte kthyer në Pakistan.