Le ta quajmë Beteja e “St James Park” sepse një ndeshje dramatike u zhvillua sonte në Newcastle, ku Liverpool arriti të triumfojë 3-2 ndaj bardhezinjve, falë një goli vendimtar të adoleshentit Rio Ngumoha (16 vjeç) në minutat shtesë.
Minutat e para ishin të tensionuara, me Newcastle dhe Liverpool, që po luftojnë për Alexandre Isak. Liverpool nisi më mirë takimin, duke kaluar në avantazh në minutën e 35-të me një goditje të fuqishme nga distanca nga Ryan Gravenberch, e cila përfundoi në qoshen e poshtme të portës, duke lënë portierin Nick Pope pa mundësi reagimi.
Para fundit të pjesës së parë, Anthony Gordon i Newcastle provon një ndërhyrje të rrezikshme, që fillimisht u ndëshkua me karton të verdhë, por VAR e shndërroi në karton të kuq direkt, duke lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak.
Në pjesën e dytë, Liverpooli arriti të dyfishojë avantazhin në 2-0 në minutën e 46-të, me një pasim të mprehtë nga Cody Gakpo për Hugo Ekitike, i cili shënoi me një goditje të ulët nga kufiri i zonës, duke lënë portierin pa reagim.
Bruno Guimaraes ngushtoi rezultatin për Newcastle në minutën e 57-të me një kokë nga afër pas një asistimi perfekt të Valentino Livramento për 2-1. Në minutën e 88-të, William Osula barazoi rezultatin për Newcastle pas një pasimi të gjatë që kaloi mbrojtjen e Liverpoolit.
Gjyqtari dha 11 minuta shtesë, dhe në minutat e fundit, Rio Ngumohas shënoi golin vendimtar pas një aksioni model, duke i dhënë Liverpoolit fitoren 3-2 dhe tre pikët e vlefshme në një përballje të jashtëzakonshme në Ligën Premier.
Ndeshja u karakterizua nga momente të tensionuara, përfshirë kartonë të verdhë dhe lëndime (Tonali dhe Schar), ndërsa të dyja skuadrat treguan intensitet dhe vendosmëri për të kërkuar fitoren deri në sekondat e fundit.
The post Adoleshenti magjik nderon Liverpool në betejën e “St James Park”! Newcastle heroik, dorëzohet në minutën e 99′ (VIDEO) appeared first on Telesport.