Qëllimi kryesor, sipas të njëjtave burime, është të shmanget kaosi institucional dhe shpërbërja e shtetit në një vend me krizë të thellë humanitare.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përgatit në heshtje një sërë skenarësh emergjentë, për atë që mund të ndodhë në Venezuelë nëse presidenti autoritar Nicolás Maduro largohet nga pushteti.
Sipas raportimit të CNN, diskutimet e brendshme janë intensifikuar javët e fundit, ndërsa zyrtarët amerikanë po analizojnë opsione që variojnë nga një largim i negociuar i Maduros, deri te skenarë më të rrezikshëm, përfshirë mundësinë e largimit të tij pas goditjeve të mundshme ushtarake të SHBA-ve.
Burimet theksojnë se nuk ka ende një vendim politik për përdorimin e forcës, por Shtëpia e Bardhë ka kërkuar të zhvillojë “opsione për ditën pas”, në mënyrë që të menaxhohet çdo boshllëk pushteti që mund të krijohet në Caracas.
Qëllimi kryesor, sipas të njëjtave burime, është të shmanget kaosi institucional dhe shpërbërja e shtetit në një vend me krizë të thellë humanitare dhe me një aparat sigurie që mund të fragmentohet.
Në të njëjtën kohë, opozita venezuelase, e udhëhequr nga María Corina Machado dhe kandidati presidencial Edmundo González, ka ndarë me Washingtonin planin e saj të tranzicionit demokratik, që parashikon rikthimin e institucioneve, hapjen e ekonomisë dhe rifillimin e procesit zgjedhor nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Administrata Trump po analizon këto propozime si pjesë të pakos më të gjerë të mundësive për një periudhë post-Maduro.
Megjithëse diskutimet po zhvillohen me ton të ulët publikisht, burimet pranë procesit thonë se interesi i Washingtonit është të sigurojë që çdo ndryshim regjimi të mos shoqërohet me dhunë masive ose vakum pushteti, që mund ta destabilizojë rajonin.
Për momentin, planifikimi mbetet i brendshëm dhe nuk ka sinjale për hapa të menjëhershëm.
Sipas CNN, procesi është ende në zhvillim dhe çdo vendim do të varet nga dinamika e brendshme politike në Venezuelë dhe reagimi i Ushtrisë, faktorit kyç në mbijetesën e regjimit të Maduros.










