Administrata e Presidentit Donald Trump njoftoi se do të tërheqë nga puna, thuajse të gjithë personelin e USAID-it, nëpër botë, një lëvizje drejt mbylljes së misionit prej gjashtë dekadash, për forcimin e sigurisë amerikane përmes luftës ndaj urisë, financimit të arsimit dhe përpjekjeve për t’i dhënë fund epidemive.
Punonjësit e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar, po ashtu po tërhiqen nga terreni ku ushtronin veprimtarinë e tyre.
Administrata njoftoi punonjësit përmes postës elektronike dhe një njoftimi të publikuar në internet, njoftimi i fundit i lidhur me shpërbërjen e papritur të agjencisë së ndihmës nga të emëruarit e rikthyer politikë të Presidentit Donald Trump dhe ekipet e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë së miliarderit Elon Musk, të cilët i cilësojnë shumë prej shpenzimeve për programet për vendet e tjera si shpërdorim të të ardhurave.
Urdhri hyn në fuqi pak para mesnatës së të premtes dhe i jep afat personelit të brendshëm të agjencisë jashtë vendit – shumë prej punonjësve kishin nisur të bënin gati plaçkat në pritje të njoftimit – 30 ditë kohë për t’u kthyer në SHBA, në rast se puna e tyre nuk konsiderohet si thelbësore. Kontraktorët që nuk janë përcaktuar si thelbësorë gjithashtu do të pushohen nga puna, thuhej në njoftim.
Marrja e kësaj mase ishte përfolur prej ditësh dhe është më drastikja mes një sërë propozimesh për konsolidimin e agjencisë së Departametit të Shtetit. Alternativa të tjera përfshijnë mbylljen e misioneve më të vogla të USAID-it dhe mbylljen e pjesshme të misioneve më të mëdha.
Mijëra punonjës të USAID-it kanë humbur vendet e punës dhe një sërë programesh në mbarë botën janë mbyllur pasi Presidenti republikan Trump vendosi një ngrirje gjithëpërfshurëse të fondeve për vendet e tjera.
Pavarësisht kundërshtive nga ligjvënësit demokratë, agjencia e ndihmës ka qenë objektiv kryesor ndërsa administrata e re dhe Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë, i drejtuar nga Elon Musku, për uljen e shpenzimeve, synon të tkurrë qeverinë federale.
Ata kanë urdhëruar një ndalim të shpenzimeve që ka paralizuar ndihmën e financuar nga SHBA-të dhe zhvillimin e punës në gjithë botën, ka çuar në pushime nga puna ose leje të detyruar të drejtuesve të lartë apo punonjësve të tjerë të USAID-it, ndërsa të hënën stafit iu ndalua hyjra në selinë qëndrore të agjencisë, në Uashington.
Ligjvënësit thanë se serverat kompjuterikë të agjencisë ishin hequr prej aty.
“E kalova fundjavën duke shpërbërë USAID-in”, shkroi në rrjetin X zoti Musk.
Tërheqja masive e mijëra punonjësve jashtë vendit dhe atyre në Uashington do të kishte pasoja në projektet në rreth 120 vende të botës, në vlerë prej miliarda dollarësh, duke përfshirë ndihmën e sigurisë për partnerë të tillë si Ukraina, përpjekjet në vazhdim për ujë të pastër, trajnime për punësim dhe arsim, përfshirë edhe nxënëset nën sundimin taliban në Afganistan.
Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh i ndihmës humanitare në nivel botëror.
Ndihma për vendet e tjera në përgjithësi arrin në më pak se 1% të buxhetit të Shteteve të Bashkuara, më pak se buxheti që shpenzojnë disa shtete të tjera për këtë qëllim.
Programet shëndetësore si ato për ndihmë për t’i dhënë fund poliomielitit dhe një pragrami që ndihmoi në frenimin e epidemisë globale të AIDS-it duke shpëtuar më shumë se 20 milionë jetë në Afrikë, janë mbyllur.
Po ashtu është ndëprerë mbikqyrja dhe vendosja e ekipeve të reagimit të shpejtë për sëmundje ngjitëse siç është Ebola në Ugandë.
Qindra miliona dollarë ushqim dhe ilaçe që tashmë janë dërguar nga kompanitë amerikane kanë mbetur në porte për shkak të mbylljes së papritur të agjencisë nga ana e adminsitratës.
Ligjvënësit demokratë dhe të tjerë thonë se ligji përcakton se USAID-i është një agjenci e pavarur dhe nuk mund të mbyllet pa miratimin e Kongresit. Mbështetësit e USAID-it nga të dyja partitë politike thonë se puna e agjencisë jashtë vendit është thelbësore për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë, Kinës dhe dhe rivalëve të tjerë jashtë vendit, si dhe për çimentimin e aleancave dhe partneriteteve.
Vendimi për të tërhequr personelin e USAID-it dhe familjet e tyre më herët nga sa ishte përcaktuar, ka të ngjarë të ketë një kosto prej dhjetëra miliona dollarë për udhëtime dhe zhvendosjen e tyre.
Personeli që është dërguar me leje të detyruar përfshin si punonjës të huaj dhe të shërbimit civil, të cilët gëzojnë mbrojtje ligjore ndaj shkarkimit arbitrar nga puna apo dërgimit me leje të detyruar, pa arsye.
Shoqata Amerikane e Shërbimit të Jashtëm, sindikata që përfaqëson diplomatët amerikanë, u dërgoi një njoftim anëtarëve të saj duke dënuar vendimin dhe duke thënë se po përgatiste hapa ligjorë për ta kundërshtuar ose ndaluar atë.
Sidoqoftë, stafi lokal, i punësuar nga USAID-i ka më pak mekanizma mbrojtës.
Punonjësit dhe familjarët e punonjësve të USAID-it u vunë përballë nevojës për të marrë vendime të paparashikuara ndërsa afrohej publikimi i njoftimit, duke përfshirë nëse do të duhej të hiqnin fëmijët nga shkolla në mes të vitit. Disa prej tyre dhuruan kafshët shtëpiake pasi druheshin se administrata e Presidentit Trump t’u jepte kohë për përgatitjen e dokumentave për t’i marrë ato me vete.
Në njoftimin e së martës thuhej se do të shqyrtoheshin përjashtime nga vendimit rast pas rasti, për ata që kanë nevojë për më shumë kohë. Por ishte e paqartë se kush do të përpunonte kërkesa të tilla ose dokumentet e tjera të nevojshme për largimin masiv të mijëra punonjësve jashtë vendit.
Gjatë fundjavës ekipet e zotit Musk e kishin bërë të paaksesueshme faqen e internetit të USAID-it. Të martën në mbrëmje, faqja mund të hapej sërish, ndërsa postimi i vetëm ishte njofimi për tërheqjen e personelit nëpër botë.
Njoftimi u bë ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio vazhon një turne që përfshin 5 vende në Amerikën Qendrore dhe u takua me personelin e ambasadës dhe të USAID-it në dy nga misionet më të mëdha të USAID-it në rajon: në El Salvador dhe Guatemalë, respektivisht të hënën dhe të martën.
Gazetarët që po ndjekin turneun e zotit Rubio nuk u lejuan të ishin në takimet në ato dy vende, por u lejuan në takime të ngjashme në Panama të dielën, në të cilat zoti Rubio lavdëroi punonjësit, veçanërisht vendasit, për përkushtimin dhe shërbimin e tyre.
Gjatë një konference për shtypin, më herët të martën, Sekretari Rubio tha se ai “ka mbështetur prej kohësh ndihmën e huaj. Unë vazhdoj ta mbështes ndihmën e huaj. Por ndihma e huaj nuk është bamirësi”, tha ai.
Ai vuri në dukje se çdo dollar që shpenzojnë Shtetet e Bashkuara duhet të çojë përpara interesat e saj kombëtare.
Në njoftimin në internet thuhet se personeli që do të përjashtohej nga leja e detyruar përfshin punonjësit përgjegjës për “funksionet kritike të misionit, udhëheqjen dhe programet të posaçme” dhe se ata do të informoheshin deri të enjten pasdite.
“Faleminderit për shërbimin që keni dhënë”, mbyllej njoftimi./VOA