Vetëm pak ditë përpara shpalljes së nominimeve për “Topin e Artë” 2025, favoritët kryesorë duken të jenë dy: Ousmane Dembélé, ylli i PSG-së dhe i Francës, dhe Lamine Yamal, fenomeni i ri i Barcelonës dhe Spanjës. Ndërsa bota e futbollit diskuton mbi fituesin e mundshëm, ish-mbrojtësi Adil Rami ka zgjedhur rrugën e përplasjes direkte me talentin blaugrana, i cili sapo ka mbushur 18 vjeç.
Gjatë një transmetimi “live” në rrjetet sociale, Rami e ka ofenduar hapur Yamal, pa e fshehur përbuzjen e tij: “Ka dy muaj që, si njeri, nuk e duroj më. Nuk më intereson nëse tifozët e Barcelonës apo të Yamal nuk janë dakord. Sa për futbollin, nuk kam asgjë për të thënë, është një fenomen dhe do të fitojë trofe. Nga ana njerëzore kam shumë rezerva për të”.
Ish-lojtari i Marsejës dhe Milanit tregoi se bezdisja e tij kishte nisur pas një episodi me Cristiano Ronaldon në finalen e “Nations League” mes Spanjës dhe Portugalisë: “Më nervozoi mënyra si ia dha dorën Ronaldos, pastaj ato videot ku fliste keq për të…”
Rami kritikoi gjithashtu sjelljen provokuese të të riut, si për shembull gjestin e uljes së pantallonave (“një gjë që vjen nga burgjet amerikane dhe meksikane”) dhe stilin e tij të jetesës: “Sapo mori fanellën me numrin 10 u mbulua me diamante. Sillet sikur të ishte një reper amerikan. Është i padurueshëm”.
The post Adil Rami sulmon ashpër Yamal: Njeri i padurueshëm, sillet si të ishte një reper amerikan appeared first on Telesport.