Adem Demaçi sot mbush 82 vjet

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi sot mbush 82 vjet. Me rastin e 82-vjetorit të tij ,sot  u përuruan dy librat e përgatitura nga Selatin Novosella “Viti i Adem Demaçit” dhe “Demaçi – njeri i lavdisë”.

Biografia e Adem Demaçit!

Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Kurse, prejardhjen e ka nga fshati Lupç i Poshtëm i Komunës së Podujevës. Ai është veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë. Ai është një personalitet ,të cilin mund ta shohim në majat më të larta të aktiviteteve për çështjen kombëtare. Është i burgosur disa herë për veprimtarinë e tij politike, të cilat ishin në kundërshtim me sistemin shtetëror jugosllav dhe të cilat kishin për aspiratë bashkimin kombëtar.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Burgosja e parë ndodhi në vitin 1958, kur ishte 22 vjeçar, mori mbi vete rolin e një kryengritësi të përjetshëm, duke flijuar djalërinë, rininë dhe gjithçka i jep jeta njeriut, që ta jetojë atë në plotësinë e saj. Burgosja e dytë ndodhi në vitin 1964, kurse burgosja  e tretë ndodhi në vitin 1975. Lidhur me gjykimet e Demaçit në burgje, autori Selatin Novosella ka botuar Trilogjinë: 1. “Adem Demaçi në gjykimin e parë-1958”, 2. “Adem Demaçi në Gjykimin e dytë-1964” dhe 3. “Adem Demaçi në gjykimin e tretë-1975”.

Identifikimi i Adem Demaçit në rolin e rilindësit, gjykimet e tija të mprehta, parashikimet dialektike, pothuajse profetike, qëndresa shembullore katrahurave të burgjeve e gjykatave serbe, prore pa shfaqje të ndjenjës së”pendimit”, e bënë atë përfaqësues model i veprimtarit shqiptar, që demaskoi idilet e rrejshme jugosllave për barabarësinë e gënjeshtërt të popujve, që përbënin krijesën federale të quajtur Jugosllavi.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.

Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një ndër autoritetet më të vlerësuara jo vetëm të përmasave kombëtare por edhe të atyre ndërkombëtare. Sakrificat, vuajtjet dhe përpjekjet e tij titanike, pa dyshim, e ndihmuan fuqishëm çlirimin dhe formimin e shtetit të Kosovës. Demaçi është vlerë madhore e UÇK-së dhe e luftës sonë çlirimtare.

Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Vepra e tij më e njohur është “Gjarpinjtë e gjakut”.

Ai është quajtur edhe Mandela i Evropës.

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi në vitin 2016,  me rastin e Ditës së Flamurit, 104 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, është shpallur ”Qytetar Nderi i Tiranës”.

Ky titull, Adem Demaçit iu nda për simbolin e rezistencës kombëtare./Fokusi.info/