Adelina Ismaili dëshmoi edhe njëherë se emri i saj është i gdhendur fort në historinë e muzikës shqiptare.
Për herë të parë pas 10 viteve në një koncert të përmasave kaq të mëdha, Adelina performoi në Alba Festival në Zvicër, para një publiku jo fort të zakonshëm për të.
Pjesa dërrmuese e të pranishmëve ishin fëmijë të lindur e rritur jashtë, kryesisht në Zvicër e Gjermani, të ri në moshë, aq të ri sa kur Adelina ishte në kulmin e karrierës së saj mund të ishin shumë të vegjël ose nuk kishin lindur ende.
Besohet se shumica prej tyre ishin për herë të parë duke shijuar nga afër një performancë të divës shqiptare, por kjo nuk ishte aspak pengesë që ata të këndonin njëzëri me artisten të gjitha këngët e saj, hite ndër vite, që nga ’90-tat.
Buja që bëri pjesëmarrja e saj që në momentin që u zbulua ka rënë në sy edhe të gazetës së madhe zvicerane Tages-Anzeiger.
Ata kanë realizuar një intervistë me yllin shqiptar duke u ndalur tek karriera e saj, ndikimi në diasporën shqiptare, ngritja e zërit për gratë e deri tek ndikimi i luftës së fundit në Kosovë për të.
E përditshmja zvicerane e ka nisur intervistën duke e përshkruar Adelinën si një nga artistet më me ndikim të muzikës pop në Kosovë.
‘’Këngëtarja Adelina Ismaili ka krijuar skenën muzikore shqiptare për gati 30 vjet; muzika e saj është feministe dhe provokuese. Karriera e Adelina Ismailit filloi pak para Luftës së Kosovës: Në vitin 1996, Adelina Ismaili publikoi albumin e parë nga pesë albume, dhe në vitin 1997, ajo u kurorëzua Miss Kosova. Sot, Ismaili konsiderohet si një nga artistet më me ndikim të muzikës pop në Kosovë. Në muzikën e saj, ajo mbron vetëvendosjen e grave dhe të drejtat e kosovarëve’’, thuhet në hyrjen e artikullit.
E veshur me të zeza, pantallona lëkure dhe një korset, stil tipik i Adelina Ismailit, ajo pushtoi skenën e festivalit për të na dëshmuar e kujtuar edhe njëherë se ajo është këtu, ende në zemrat e gjithë publikut shqiptar, atyre që karrierën e saj e ndoqën që nga fillimi, por edhe të gjeneratës së re.