“Abuzimi me të miturën”, Ramaj: Peci e Gërvalla duhet t’i lexojnë mesazhet e Halilajt me të miturën

Saranda Ramaj e cila kishte punuar si gazetare në mediumin Koha, ka akuzuar rëndë Faton Pecin dhe Donika Gërvallën për aderimin e Gazmend Halilajt në subjektin e tyre politik.
Sipas saj, Gazmend Halilaj ishte akuzuar për abuzim me një të mitur dhe komunikimin mes tij dhe të miturës do të duhej ta lexonte Peci e Gërvalla.
Postimi i plotë:
Dje, kur e pashë aderimin e avokatit Gazmend Halilaj në Guxo, dhe mënyrën se si u prezantua nga dy prej njerëzve më të votuar në Kosovë ministrat Faton Peci dhe Donika Gërvalla, u binda edhe një herë se si partitë politike shndërrohen në mekanizma për rehabilitimin dhe fuqizimin e figurave kontraverse (ma së buti me thanë) në shoqëri.

Vlerësimet për avokatin Halilaj nuk mundet me m’i ndryshu as z. Faton, as znj. Donika, e as askush tjetër.
Kronologjia:

▪️Avokati Halilaj u paraqit në publik si denoncues i një rasti të rëndë të abuzimit seksual ndaj një të miture, dhe u kthye në “hero” të shpëtimit të saj.
▪️ Por, nga mesazhet që dolën më pas nga ekzaminimi i telefonit të viktimës ( të siguruara nga forenzika), u ngritën dyshime të forta se edhe ai vetë mund të kishte abuzuar me viktimën.
▪️Këto komunikime i kemi lexuar një nga një në redaksinë e KOHËS, media që i shkoi deri në fund këtij rasti. Artikulli që e zbërthente figurën e “heroit” si pjesë të një rrjeti abuziv u botua, pavarësisht presioneve të jashtëzakonshme për ta ndalur, presione që nuk i kam përjetuar asnjëherë më parë në jetën time si gazetare.
▪️Pas publikimit të artikullit, avokati u arrestua. ▪️Më vonë u dënua me 2 vjet burg nga shkalla e parë.
▪️Pastaj, Apeli e rrëzoi vendimin.
▪️ Vitin e kaluar, në një artikull të marsit, lexova se në rigjykim ishte dënuar sërish. Por këtë herë me 4 vjet.
▪️Dje në media pashë vetëm një fjali që thoshte: “Apeli e ka liruar nga akuzat para disa muajsh”, por nuk gjeta asnjë artikull shpjegues për vendimin, e as ndonjë njoftim nga Gjykata e Apelit.

Po të isha ende duke punuar si gazetare, këtë informacion sigurisht që do ta kisha gjetur më lehtë.

Por përtej vendimeve gjyqësore, për mua mbetet thellësisht problematike përmbajtja e komunikimit të tij me një viktimë (që kur ishte abuzuar, ishte e mitur). Unë e kam parë atë komunikim, dhe do të doja që edhe z. Faton dhe znj. Donika ta shihnin një ditë aktakuzën e anonimizuar, vetëm për të kuptuar për çfarë profili bëhet fjalë. Ligji ndalon me të drejtë ekspozimin e viktimave të dhunës seksuale, aq më tepër kur bëhet fjalë për të mitur por përmbajtja e mesazheve të siguruara nga forenzika flet vetë dhe nuk ka prova që mesazhet ishin manipuluar.

Është mjerim të shohësh se si në Kosovë njerëzit riciklohen, pavarësisht se çfarë kanë bërë