,

Abrashi: Mospajtimet brenda LDK-së për ministrat, ‘fake news’

Arban Abrashi, nga LDK-ja, ka thënë se takimi i sotëm me zyrtarët e AAK-së dhe me të Nismës Socialdemokrate, me të cilët tashmë kanë nënshkruar një koalicion, ishte një takim koordinues për të harmonizuar programin potencial qeverisës.

“Sot ishte një takim koordinues. Ashtu siç kemi paralajmëruar, ne kemi disa ditë deri në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sot jemi takuar me përfaqësuesit e AAK-së dhe të Nismës për të trajtuar programin tonë qeverisës. Kemi biseduar për orientimet tona programore, posaçërisht çështje që lidhen me pandeminë, si diçka që është më se urgjente, por gjithsesi edhe për rimëkëmbjen ekonomike, të cilën dëshirojmë ta fusim si prioritet të lartë në programin tonë qeverisës.

Sot ka qenë veç një takim i parë koordinues. Ne do të fillojmë të shkëmbejmë dokumentet tona ditëve në vijim në nivel të ekspertëve partiakë, në mënyrë që kur të fillojmë punën në qeveri të kemi një program gjithëpërfshirës, që do të trajtojë pandeminë, rimëkëmbjen ekonomike edhe vetë ristrukturimin qeverisës në të ardhmen, në mënyrë që të mos humbin kohë aspak”.

Por, çfarë vendimi të Gjykatës Kushtetuese presin? A do të mundë LDK – AAK – Nisma dhe partitë minoritare ta formojnë qeverinë e re?

“Besoj që po, praktikat e parlamenteve, por edhe sistemi ynë parlamentar tregon që ai që e ka shumicën e krijon qeverinë, prandaj duke marrë parasysh rrethanat politike, edhe ato rreth pandemisë, nuk dëshirojmë të humbasim kohë dhe të përgatitemi sa më mirë”.

Abrashi para gazetarëve ka thënë se nuk ka asnjë arsye pse nuk është publikuar marrëveshja me Listën Serbe dhe e njëjta do të publikohet ditëve në vijim.

“E publikojmë, nuk është problem. Ne jemi marrë me çështjet më me prioritet – ditëve të kaluara jemi marrë me përgatitjen e seancës, derisa sot jemi takuar për program. Besoj që publikohet ditëve në vijim, sepse nuk është diçka që po e fshehim”.

Sekretari organizativ i LDK-së ka thënë se nuk është e vërtetë që ka pasur mospajtime për emrat e mundshëm për ministra nga kjo parti.

“Nuk ka pasur asnjë mospajtim, ju siguroj. Ajo që ka dalë në medie ditëve të kaluara është një ‘fake news’, atë ju garantoj edhe në emrin tim. Nuk kemi arritur ende deri tek emrat, besoj që disa ditë para seancës kur do të votohet qeveria do të dalin edhe emrat”.

Arban Abrashi ka thënë se ekspertët partiakë do të kenë edhe takime të tjera për t’u koordinuar rreth programit qeverisës – nëse votohet qeveria “Hoti”.

Related Posts