Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kërkon nga partitë politike që të mbështesin iniciativën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të nënshkruajnë Paktin Kundër Korrupsionit.
Ai ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin nuk luftohet vetëm nga organet e drejtësisë por edhe nga parandalimi i kulturëz abuzive.
Deklarata e plotë:
Lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin nuk luftohet vetëm nga organet e drejtësisë por edhe nga parandalimi i kulturës abuzive dhe shfuqizimi i akterëve të korrupsionit.
Nisma e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, e prezantuar dje si Pakt Kundër Korrupsionit, shënon një momentum të ri kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit.
Si i tillë, ky Pakt është në përputhje me frymën e ndryshimeve ligjore që kam ndërmarrë në dy vitet e mandatit si Ministër i Drejtësisë dhe në frymën e dekriminalizimit të sferës politike, çështje mese e domosdoshme për të siguruar një qeverisje efikase, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse.
Një përpjekje e tillë, duhet të jetë shembull i politik bërjes dhe standard i përhershëm në mes të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhjet e Tetorit e po ashtu një standard që duhet të vlejë në çdo periudhë vijuese.
Është jetike që qytetarët tanë të kenë mundësi të zgjedhin për përfaqësim, kandidatë me integritet, të cilët nuk janë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit dhe që nuk kanë rëndë ndesh me ligjin.
Me këtë rast, i ftoj të gjitha partitë politike që të ndjekin shembullin e z. Veseli dhe të nënshkruajnë “Paktin Kundër Korrupsionit”, si shprehje e vendosmërisë dhe gatishmërisë për të ndërtuar një frymë të re politike kundër korrupsionit, kundër abuzimit me pushtetin dhe shkaqeve që mundësojnë keqpërdorimin.