VV konsideron se procesi përmbyllës shtetndërtues në Kosovë duhet të arrihet me çdo kusht, qoftë edhe duke e kundërshtuar shumë dhe pandalshëm Brukselin dhe Washingtonin, LDK në anën tjetër, ka një traditë bashkëpunimi me këto dy qëndra. Kjo sipas analistit politik, Faton Abdullahu, është pengesa kryesore e një koalicioni mes këtyre dy partive.
Kohëve të fundit po flitet shumë për një koalicion të mundshëm mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV). Madje Albin Kurti publikisht i ka bërë thirrje LDK’së për të formuar së bashku një Qeveri të re.
Ndonëse një gjë e tillë mund të jetë e mundshme, sipas analitstit politik, Faton Avdullahu, këto dy parti dallojnë në disa pikëpamje, e këtu edhe tek qasja ndaj Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“VV konsideron se procesi përmbyllës shtetndërtues në Kosovë duhet të arrihet me çdo kusht dhe shumë më shpejt, qoftë edhe duke e kundërshtuar shumë dhe pandalshëm Brukselin dhe Uashingtonin. Ndërkohë që LDK-ja ka një traditë të gjatë bashkëpunimi me këto dy qendra dhe shtetndërtimin e kupton si proces që obligon pashmangshëm koordinim veprimesh vazhdimisht me këto dy qendra, kurse kohëzgjatjen e arritjes së kësaj kauze nuk e ka sforcuar me veprime pa koordinime sidomos me Washingtonin”, thotë ai në një shkrim për Gazetën Metro.
Sidoqoftë, Abdullahu në fund thekson se LDK ka mundësi më të shumëta për të manovruar rreth pushtetit, ndërsa VV’ja duhet të heqë dorë nga dëshira për të pasur postin e Kryeministrit.
Kujtojmë se pavarësisht zërave për një koalicion të mundshëm, Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, dje haptas akuzoi VV’në për sulmet që ia kishin bërë në të kaluarën, duke shtuar kështu dyshimet për bashkëpunim mes tyre në të ardhmen.