Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në konferencë për media tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk e deshi Vjosa Osmanin që të jetë sërish presidente.
“Sepse, në fakt, kishim një parti politike dhe një eksponent të saj, i cili, në njërën anë, është i pangopur për pushtet, i do të gjitha, e në anën tjetër është i paaftë të arrijë kompromis.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, 15 sosh, kanë qëndruar me plot përgjegjshmëri dhe bindje për t’i dhënë zgjidhje stabilitetit institucional të vendit. Është kërkuar konsensus, kemi marrë pjesë në takime. Është kërkuar emër, kemi dhënë edhe mundësinë për emrin për president. Na janë kërkuar nënshkrimet, janë ofruar ato nënshkrime”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se LVV-ja nuk dha vota për Vjosa Osmanin.
“Por, në fund, në fakt, problemi është parë që ky emër, i Vjosa Osmanit, është synuar më tepër si kuorum për një presion që ata e quajnë shantazh. Ne, Vjosa Osmanin, nuk e shohim si kuorum për presidenten e tyre, që tashmë i kishte votat e tyre; e shohim më shumë se kaq, si presidente të denjë të Republikës së Kosovës.
Por kjo votë nuk u dha nga Lëvizja Vetëvendosje. Sonte, ndër të tjerash, u pa edhe një keqpërdorim i institucionit më të lartë të vendit, Kuvendit. Mënyra se si u udhëhoq ky proces, me një monolog të një partie autoritare, me gjuhë që e dëgjuam gjatë gjithë natës nëpërmjet konferencave për shtyp, që më së paku ishin shantazh”, tha ai.









