Abdixhiku thotë se LDK-ja shënoi “rritjen më të madhe” nga të gjithë: VV-ja humbi

Lumir Abdixhiku nuk e ka cilësuar humbje rezultatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit.

Kreu i LDK-së ka thënë se partia ka shënuar rritjen më të madhe në zgjedhje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës sonte shënon rritjen më të madhe që një subjekt politik ka arritur në këto zgjedhje”, ka thënë ai.

“Kjo rritje, që ne ekonomistët i referohemi si pesë pike përqindje, është shenjë e qartë se ky vizion i yni po merr mbështetje qytetare. Me 20 mandate, LDK është e stabilizuar dhe ka një të ardhme shumë të mirë përpara”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai tha se “kjo nuk ishte një garë e barabartë”.

“Pamë keqpërdorime paraelektorale, ndërhyrje dhe praktika të blerjes së votës”, deklaroi kreu i LDK-së në një konferencë për media të dielën.

Kryetari i LDK-së tha se LVV-ja e kryeministrit Albin Kurti shënoi humbje në zgjedhje.

“Humbja e rreth 200 mijë votave nga partia që deri dje ishte në pushtet, është sinjal politik se humbja nuk mund të injorohet. Shumica shqiptare, sot ka një mesazh tjetër politik, prandaj LDK që nga nesër do të angazhohet me seriozitet të plotë në ndërtimin e një platforme që garanton stabilitet institucional dhe që e vendos Kosovën në rrugën e forcimit të shtetit”, tha ai.