Abdixhiku sulmon gazetarët pasi i doli në “dritë” biznesi me energji elektrike i bashkëshortes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është lëshuar në sulme ndaj gazetarëve pas raportimit për biznesin me energji elektrike të bashkëshortes së tij.

Në reagimin e tij në Facebook, Abdixhiku i cilëson këto pretendime si shpifje të orkestruara nga “grupe parapolitike”.

“Natyrisht që, në ditë zhvillimesh me interes kombëtar, aktivizohen grupet parapolitike me shpifje. Në këtë aktivizim, përmes rrjeteve të tyre të lidhura me shantazh dhe presion, ata nuk hezitojnë të përfshijnë edhe anëtarë të familjeve. Sot, kanë përfshirë edhe bashkëshorten time, Albinën, me pretendime të pavërteta për “përfitime politike” e “tregti me energji elektrike”. Sa lehtë shpifet këndej! Si një zonjë e pavarur dhe profesionale që është, ajo më ka njoftuar se nesër do të ngrejë padi gjyqësore ndaj shpifësve. E mbështes plotësisht, moralisht dhe njerëzisht, në këtë betejë. Njëkohësisht, i kërkoj ndjesë që për shkak të angazhimit tim politik, ajo dhe familja e saj, tash e tre dekada punë, detyrohen të përballen me këtë gjuhë urrejtjeje dhe baltosjeje mercenare”.

Ai më tej e cilëson gabim të tij të pafalshëm “afrimin me gazetarët”.

“E kuptoj se në botën e errët ku jetojnë këta njerëz përplot mllef e urrejtje, përpjekja për të përbaltur këdo është mënyrë ekzistence. Por një gjë e kam kuptuar qartë gjatë kësaj kohe: sa më larg prej tyre, sa më përballë me ta, aq më i drejtë është qëndrimi yt. Një nga gabimet më të mëdha dhe më të pafalshme të karrierës sime ka qenë pikërisht afrimi me ta – mendërisht, se asesi ndryshe. Jam i bindur se Albina, si humaniste që është, çdo mjet të fituar nga kjo betejë gjyqësore do ta dedikojë për një kauzë fisnike në Kosovë”.

Më 15 prill 2024, në një periudhë të ngarkuar me zhvillime politike, Albina Kastrati-Abdixhiku, bashkëshortja e Lumir Abdixhiku, ka regjistruar një kompani që, sipas të dhënave zyrtare, merret me prodhim, transmetim dhe tregtim të energjisë elektrike.

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka pranuar se bashkëshortja e tij është pronare e një kompanie që operon në fushën e energjisë elektrike, por ka mohuar që ajo merret me tregti.

“Ja, jo. Nuk ka kompani të tregtimit të rrymës, është e pavërtetë…Nuk ka tregtim të energjisë elektrike. Gabim e keni. Është kompani elektrike, po jo për tregti. Është licencë e veçantë, kuptoni. S’është temë kjo”, ka deklaruar Abdixhiku në një përgjigje për VOX Kosova.

Familja Abdixhiku futet në biznesin e energjisë elektrike, LDK në krizë politike