Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbrojtur idenë për një qeveri gjithpërfshirëse, pasi siç ka thënë ai as partia që ka qenë në pushtet e as partitë e ish-opozitës nuk e kanë shumicën.
Abdixhiku në një konferencë për media ka shpalosur planin 15 pikësh të LDK-së për një Qeveri të Unitetit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ky është plani 15-pikësh i LDK-së:
1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike aty ku aferat e fundit kanë shpërthyer. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.
2. Dakordimi i plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit të pagave, duke rikthyer dinjitetin institucional të shërbyesve publikë.
3. Pakoja emergjente për menaxhimin e krizës energjetike. Në fokus do të jetë miratimi i një pakoje gjithëpërfshirëse për përballimin e rritjes së faturave të energjisë elektrike dhe pas pritjeve për rritje të mëtutjedhme dhe heqja e tvsh-s për cdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme duke gjetë rrugëdalje të përbashkët.
4. Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e Unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin e Kosovës, por do të nis hartimin e planit kombëtar për gazifikimin e Kosovës dhe procedurat për ndërtimin e një centrali me gaz.
5. Rindërtimi i partneritet me BE-në dhe SHBA-në dhe rikthimin e politikës së jashtme aktive. Kthimi i besimit politik me BE-në dhe SHBA-në, përmes një qasjeje të përgjegjshme shtetërore, në funksion të heqjes së masave ndëshkuese dhe rivendosjes së marrëdhënieve strategjike me aleatët euroatlantike.
6.Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Kuvendit te Kosovës, një pjesë e të cilave janë buzë mosfunksionalizimit të plotë.
7. Fillimi i procesit te vettingut ne sistemin e drejtësisë
Qeveria e Unitetit Kombëtar do të ndërmarrë hapat e parë konkretë për fillimin e procesit te vettingut; fillimisht nëpërmjet miratimit të infrastrukturës ligjore kushtetuese të nevojshme, dhe më pas me implementimin e pilot procesit të vettingut për një periudhë të shkurtë.
8. Fillimi i projekteve me rëndësi të veçantë për vendin
Qeveria e Unitetit, do të heqë të gjitha pengesat burokratike të projekteve madhore kombëtare. Prioritet të veçantë do t’i jepet projektit të Unazës së Jashtme të Prishtinës, ndërtimit të Spitalit të Ri të Kosovës; ndërtimit të Qendrës Kombëtare të Sportit, si dhe ndarjes së buxhetit për trajtimin e deponive të mbeturinave në tërë vendin.
9. Reforma kushtetuese në funksion të stabilitetit institucional – bëjmë një reset institucional kushtetues.
10. Fillimi i reformës në arsim Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Reformës së Thellë të Arsimit, duke filluar nga riorganizimi i rrjetit të shkollave, deri te organizimi i mësimit tërë-ditor në qytetet e Kosovës
11. Përgatitja institucionale për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.
12. Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.
13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.
14. Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.
15. Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule.