Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas publikimit të disa mesazheve në një grup në Viber, ku pretendohet se brenda partisë ka pasur vjedhje votash.
Në një reagim publik, Abdixhiku i cilësoi këto akuza si sulme të sinkronizuara kundër LDK-së, duke theksuar se nuk janë të rastësishme apo të paqëllimshme.
Ai theksoi se këto sulme kanë ardhur nga kundërshtarë të rinj e të vjetër të partisë, të cilët nuk e pranojnë hapjen dhe fuqizimin e saj.
“Këto janë sulme të paramenduara dhe në sinkron. Janë bërë bashkë të gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me ndryshimet dhe rritjen e madhe që po ndodh në LDK,” tha ai.
Abdixhiku i kundërshtoi pretendimet se LDK është e lidhur me interesa oligarkësh apo me pushtetin, duke theksuar se partia qëndron e pavarur dhe e palëkundur.
Sa i përket akuzave për manipulim votash, ai bëri të ditur se çështja është diskutuar tashmë brenda Kryesisë së partisë dhe se LDK i beson institucioneve për ta trajtuar këtë çështje.
“Ne nuk bëjmë as prokurorinë dhe as gjyqësinë. LDK i ka besuar institucioneve edhe kur ka fituar tri herë betejën e tentim anulimit të votave tona nga partia në pushtet,” tha ai, duke shtuar se vota e LDK-së është e shenjtë dhe e drejtë.
Në fund të reagimit të tij, Abdixhiku u bëri thirrje mbështetësve të LDK-së të qëndrojnë të qetë dhe të durueshëm, duke siguruar se partia është e bashkuar dhe në rritje.
“LDK është e fortë, unike dhe e përtrirë! Nuk ka më kthim prapa! Dorëzim para presionit nuk ndodhë më! Do ta mbrojmë këtë parti me gjithë qenien tonë”, shkroi Abdixhku në platformën sociale Facebook./Telegrafi/