Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Agim Ramadani, duke e cilësuar si një figurë që nuk mund të përkufizohet në një dimension të vetëm.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku shkroi se te Ramadani bashkëjetonin ndjeshmëria e artistit dhe vendosmëria e luftëtarit, duke e përshkruar si një personalitet që e përjetonte thellë lirinë dhe nuk pranonte të jetonte pa të.
“Në të bashkëjetonin dy botë që rrallë takohen: ndjeshmëria e artistit dhe vendosmëria e luftëtarit. Ai e ndiente jetën thellë, e përfytyronte lirinë si krijim, si dritë, si diçka që duhet të marrë formë dhe kur kjo formë iu mohua, ai nuk u tërhoq. U ngrit. Në të njëjtën dorë që dikur vizatonte dhe shkruante, erdhi një ditë edhe arma. Jo si zgjedhje e parë, por si domosdoshmëri. Sepse për një shpirt krijues, robëria nuk është vetëm mungesë lirie, është shkatërrim i vetë kuptimit të jetës. Dhe Agimi nuk ishte njeri që pranonte të jetonte pa kuptim”, thuhet në postimin e tij.
Abdixhiku, ndër tjerash shkroi se nofka e tij “Katana”, pasqyronte natyrën e tij të prerë dhe të vendosur, ndërsa ka shtuar se Ramadani e pa kufirin si diçka që duhej zhdukur, jo vetëm kaluar.
“Katanë e thirrën. Dhe kjo nuk ishte rastësi. Ishte reflektim i një natyre të qartë, të prerë, të menduar. Një njeri që nuk vepronte në mjegull, por në bindje. Që nuk godiste nga zemërimi, por nga qartësia. Dhe në atë qartësi, ai e pa kufirin si diçka që duhej zhdukur, jo vetëm kaluar.Në zhdukje të kufirit ai ra. Sot, kur e kujtojmë, nuk e ndajmë dot në pjesë. Nuk është vetëm luftëtar, as vetëm artist. Është një i tërë, një jetë që dëshmon se liria fillon si ide, merr formë në shpirt dhe kur vjen koha, mbrohet me gjithçka. Dhe pikërisht për këtë, ai mbetet, jo vetëm në histori, por në vetë kuptimin që i japim lirisë”, shkroi i pari i LDK-së.









