Sipas Lumir Abdixhikut, LDK-ja po vjen pa mllef e improvizim.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, në një tubim elektoral ku u prezantuan kandidatët për deputetët nga radhët e kësaj partie dhe u shpalos programi politik i LDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ka goditur partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, duke ironizuar me sloganin e tyre: “Mos lësho pe”.
“LDK-ja nuk vjen as për hakmarrje, nuk vjen as me mllef, as me improvizim. Nuk vjen as me krismën e këngëve me pushkë, e as me penjtë që duhet lëshuar. Penjtë i kemi për t’ua këputur, ndërsa këngët i mbajmë për atdhe e për dashuri”, tha Abdixhiku.
Kosova, sipas tij, nuk është ngritur me sakrificë kaq të madh “për të përjetuar një dështim shtetar brenda kufijve të vetë nga njerëzit e vetë”.
“Kosova nuk ka rezistuar për këtë, Kosova nuk ka luftuar për këtë, qytetarët tanë nuk kanë sakrifikuar për këtë. Prandaj sot më shumë se kurdoherë kërkohet zgjim, kërkohet kthjelltësi, kërkohet drejtim i ri, kërkohet shpresë”, shtoi ai.
Gjatë prezantimit të programit e partisë, ai ka dhënë një premtim të fortë, duke deklaruar se nënat e fëmijëve të porsalindur do të përfitojnë mbështetje financiare prej 2 mijë e 400 euro në vit.
“Për çdo fëmijë të porsalindur, nënat do të marrin 2 mijë e 400 euro për një vit, respektivisht nga 200 euro në muaj gjatë vitit të parë. Ky është zotimi ynë, sepse nuk ka të ardhme pa fëmijë. Kemi paraparë gjithashtu mbështetje për çiftet e reja, për banimin e parë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai iu drejtua edhe mësuesve të Kosovës me zotimin se, nën qeverisjen e tij, paga e tyre do të jetë 1 mijë euro në muaj.
Ndërkaq, për policët, zjarrfikësit dhe ushtarët, Abdixhiku ka premtuar pagë mujore prej 900 eurosh.
“Administrata e shtetit, policët, zjarrfikësit dhe ushtarët nuk mund të jenë të dobët kur Kosova ka nevojë të jetë e fortë. Nuk mund të jenë të papaguar drejt në një kohë kur kërkojmë cilësi, shpejtësi dhe profesionalizëm. Nuk mund të jenë të demotivuar në një vend që kërkon zhvillim. Prandaj, ne do ta nderojmë administratën, do ta mbështesim dhe do t’ua rrisim pagat, sepse ata e rrisin Kosovën çdo ditë”, ka thënë Abdixhiku.











