Abdixhiku paralajmëron platformën 15-pikëshe për Qeverinë e Unitetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u ka bërë thirrje liderëve të partive politike që ta shqyrtojnë ofertën e tij për një Qeveri të Unitetit.

Ai ka thënë situata aktuale kërkon veprime urgjente duke shprehur besimin se mund të gjendet një zgjidhje që siç ka thënë ai nëse trajtohet me përgjegjësi mund të tejkalohet.

Abdixhiku ka paralajmëruar se gjatë javë do të dal me një agjendë prej 15 pikave për një bashkëpunim konkret të një Qeverie të Unitetit.

“Vazhdoj ta përsëris thirrjen time drejt liderëve të VV-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s që t’i kthehen propozimit tim për një Qeveri të Unitetit. Ta vlerësojnë me kujdes. Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi. Nëse e trajtojmë me guxim dhe me përgjegjësi. Natyrisht se ka zëra mjaft që na ushqejnë që të rrimë larg, por sot para vetës kjo krizë na thërret veç për përgjegjësi. Asgjë më pak. Prandaj, gjatë kësaj jave, do të shkojë dhe një hap tutje. Pas finalizimit të konsultimeve të brendshme, do të dal me një Agjendë 15 pikëshe – një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se është i vetdijshmë se Kosovës i duhet edhe opozita, por se në këto momente i duhet një shumicë.

“Po, Kosovës i duhet një opozitë. Po, Kosovës i duhet një balancë demokratik. Por para dyjave, Kosovës i duhet një pozitë. Një qeveri legjitime, një Kuvend funksional, një shtet që punon – tek më pas një opozitë që kritikon. Prandaj, edhe një herë, ftoj zërat me peshë, ftoj mendjet e urta, ftoj të gjithë ata që e ndjejnë peshën e kësaj kohe – të bashkohen me këtë propozim. Të mos heshtin. Të flasin. Të inkurajojnë secilin për këtë qëllim”, ka shkruar Abdixhiku një ditë para tentimit të 29-të të konstituimit të Kuvendit, për të cilin ka thënë se nuk do të sjellë ndodnjë të re.

 

The post Abdixhiku paralajmëron platformën 15-pikëshe për Qeverinë e Unitetit appeared first on TËVË 1 – Lexoje të vërtetën!.