Abdixhiku: Nuk kemi pasur asnjë kontakt me Vetëvendosjen që nga letra e fundit – LDK nuk bën qeveri me parti me vlera të kundërta

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është pyetur për ndonjë koalicion të mundshëm për krijimin e Qeverisë, pak ditë para se Albin Kurtit t’i përfundojë afati kushtetues për krijimin e saj.  Ai ka deklaruar se partia e tij nuk ka pasur asnjë kontakt me Lëvizjen Vetëvendosje që nga letra e fundit e dërguar disa muaj më parë.

“Nuk kemi pasur kontakt as nga distanca me Lëvizjen Vetëvendosje që nga letra e fundit e para disa muajve”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka reaguar ndaj, siç e ka quajtur, “një zhurme të madhe e interesimi të padrejtë” rreth mundësisë së një koalicioni të mundshëm midis LDK-së dhe VV-së në këtë fazë.

“Kam parë e kam vërejtur se ka një interesim të padrejtë dhe një zhurmë të madhe rreth çështjes së një koalicioni të LDK-së në këtë fazë. Dua të jem shumë i drejtë, e kuptoj ndoshta zhurmën, por dua ta theksoj qëndrimin e pandryshueshëm të LDK-së në çdo etapë që nga fillimi e deri më tani. Kjo zhurmë vjen për një arsye shumë të thjeshtë”, ka theksuar ai në Debat Plus.

Sipas Abdixhikut, në Kosovë ka përfunduar koha e politikës që bëhej në tavolina, ndërsa tani fjala e dhënë duhet të ketë peshë.

“Duket se ka pasur një mësim historik në Kosovë që ka pasur një politikë për qytetarin dhe ka pasur një politikë në tavolinë. Kjo politikë ka vdekur në Kosovë. Le të mësohemi me një gjendje të re, me një skenë të re ku fjala e dhënë ka peshë”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka shtuar se LDK nuk do të bëjë qeveri me subjekte që kanë vlera të kundërta me të, duke theksuar se qëndrimi i partisë së tij është parimor dhe i pandryshueshëm.

“Kur një politikan si puna ime thotë se ne nuk bëjmë qeveri me dikë që ka vlera të kundërta prej nesh, i besoni këtij konstatimi nga fillimi deri në fund, sepse nuk jemi në jetën publike e politike për ndonjë interes vetanak afatshkurt, as interesave financiare e ekonomike, por jemi në politikë për të dhënë një vizion, sepse kemi një ideal. Këtë kam përshtypje se nuk e kanë kuptuar kundërshtarët tanë”, ka përfunduar Abdixhiku.