Abdixhiku kërkon hetime për njehsorët elektrikë, fton qytetarët t’i kontrollojnë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka rikthyer sot në vëmendje çështjen e njehsorëve elektrikë, duke shkruar se qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogaritë.

Ai thekson se nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët e tyre kanë bërë, 87 për qind rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht.

“Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi. Ajo që u prezantua dje në konferencë nga Departamenti ynë për Energji, përmes anëtarit tonë Visar Azemi, është alarmante. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogaritë. Nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët tanë kanë bërë, 87% rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve të natës. Kjo nuk është më rastësi. Është dështim sistemik”.

LDK i fton qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre.

“Ne zotohemi se këtë çështje do ta ndjekim në të gjitha nivelet institucionale, deri në vendosjen e drejtësisë për çdo qytetar”.

Po ashtu, kreu i LDK-së thotë se kërkojnë hetim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale, kompensim për qytetarët dhe ndaljen e çdo rritjeje të tarifave deri në zbardhjen e plotë të gjendjes reale.