Të gjithë anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin drejtuar të hënën drejt selisë së partisë në Prishtinë.
Me radhë, ata po hynin në selinë qendrore të LDK-së për të marrë pjesë në mbledhjen përcaktuese të kryesisë ku do të vendoset për çështje thelbësore rreth të ardhmes së subjektit.
Nga të gjithë, përjashtim befasues bëri Xhafer Tahiri, anëtari i kryesisë i cili përfaqëson Degën e LDK-së në Vushtrri.
Nëse do ta merrnim të mirëqenë një zotim të kryetarit Lumir Abdixhiku, dhënë publikisht në tetor të vitit të kaluar, Tahiri nuk do të ishte, lërë më pjesë e kryesisë, por e asnjë funksioni tjetër në LDK në këtë kohë.

Më 23 tetor të 2025-s, në një paraqitje në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Abdixhiku u zotua të merrte masa të rënda ndaj Tahirit që lidhi pa autorizimin e partisë marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për balotazhin e zgjedhjeve lokale në Komunën e Vushtrrisë.
Disa ditë pas mbylljes së raundit të parë të votimit në zgjedhjet lokale, Tahiri, i cili kandidoi për kryetar të Vushtrrisë nga LDK-ja, si i treti në garë zgjodhi të bënte ujdi për balotazh me Sylejman Mehollin e Vetëvendosjes.
Marrëveshjen, të cilën e ‘miratoi’ me prezencë edhe kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, ‘Xhafa’ e nënshkroi në një ceremoni në qendër të qytetit të Vushtrrisë.

Sipas Abdixhikut, Tahiri nuk kishte marrë leje nga niveli qendror i partisë për ujdinë me Vetëvendosjen dhe se kjo do t’i kushtonte me përjashtim nga partia.
“Më mbani për fjale, më pritni pas datës 9 [nëntor] se nuk e lë pa e trajtu këtë rast”, tha Abdixhiku në paraqitjen e tij në Debat Plus më 23 tetor. “S’ka më me qenë në LDK, e prapa shpinës një kryetar të një partie tjetër. S’ka më!”.
Abdixhiku paralajmëroi marrjen e masave ndëshkuese ndaj Tahirit pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale.
Kur kanë kaluar gati dy muaj nga certifikimi i rezultateve zgjedhore lokale, duket se Tahiri ka shpëtuar “pa ther në këmbë” për manovrat krye në vete politike në emër të LDK-së në Vushtrri.
Si çdo anëtar tjetër, edhe ai do të jetë vendimmarrës në mbledhjen e kryesisë që po mbahet sot, e cila konsiderohet të jetë një nga takimet vendimtare të LDK-së për të ardhmen e saj politike. /Paparaci.com










