,

Abdixhiku godet Kurtin në Lipjan: Popullistët e majtë i patë, janë përplot urrejtje e propagandë

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të mërkurën ka qëndruar në Lipjan, komunë që qeveriset nga ky subjekt politik.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka folur për organizimin e brendshëm të LDK-së. Aty aty Abdixhiku ka goditur kryeministrin Kurti, duke thënë se “popullistët e majtë i patë, janë përplot urrejtje e propagandë”.

Ai ka shtuar se “mobilizimi ynë nacional po merr formë ndërsa këtu do të shkëlqejë”, duke nënkuptuar Lipjanin.

Më tutje, ai ka deklaruar se “në këtë vit zgjedhor çdo i djathtë, patriot e rugovist, ka vetëm një adresë”.

“Për ditë të t’dashuruarve! Me një strukturë kaq të organizuar e me kaq besim dhe energji, çdo rrugëtim bëhet më i lehtë. Sonte, qëndrova në Lipjan. Aty takova strukturat udhëheqëse të kësaj dege. Diskutuam hapur, shtruam planet drejtë. Mobilizimi ynë nacional po merr formë ndërsa këtu do të shkëlqejë! Folëm për vizionin tonë. Rrugën e Re si përgjigje ndaj popullizmit dëshpërues që në vit të fundit qeverisës s’mund të numërojë asnjë projekt përmbajtësor. Thyerja e shpresës do të merr përgjigjen e vet. Ky vend, do të flet”.

“Në këtë vit zgjedhor çdo i djathtë, patriot e rugovist, ka vetëm një adresë. Atë të Lidhjes sonë. Si forcë që garanton rrugëtimin euroatlantik – me miq e plot aleat – si bindje që ofron zhvillimin ekonomik si domosdoshmëri për gjeneratat e tanishme e atyre në vijim. Popullistët e majtë i patë. Viti i katërt tashmë. S’japin më shumë; s’munden më shumë. Janë përplot urrejtje, përplot propagandë, e punë askund! Koha jonë po vjen”, ka thënë Abdixhiku.

Related Posts