Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese si qartësues të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin.
Ai thotë se LDK-ja e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.
“Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit”.
“Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet”, u shpreh kreu i LDK-së.
Ai shtoi se partia që e drejton beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese.
Presidenti i Republikës, potencoi ai, duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës.
Në këtë frymë, Abdixhiku tha se LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, ai tha se nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.
“Në të njëjtën kohë, LDK konsideron se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë”, deklaroi kreu i LDK-së.
Në fund, ai tha se “në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin”.










