Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për mundësinë e krijimit të qeverisë nga partitë opozitare.
Abdixhiku tha se pa përcaktimin e të parit, gjithçka tjetër është e parakohshme, e hershme dhe sipas tij, duket pak naive.
“I pari po thotë që do ta bëjë qeverinë, në rregull është. Pas certifikimit, na thërret seancën e kuvendit, na propozo kryetarin e kuvendit dhe aty përfundon gjithçka. Në momentin që e cakton kryetarin e kuvendit, ai ka dy javë kohë për ta bërë qeverinë, pastaj i kalon të dytit dhe në qoftë se i dyti s’e bën, mund ta bëjë kushdo që e ka shumicën”.
“Ndoshta unë do ta bëjë një shumicë, nuk i dihet. Ne do të jemi në opozitë. S’jam skeptik, jam realist, nuk po fantazoj, po pres, po pres procesin demokratik sic e kam parë gjithmonë në Kosovë”, tha Abdixhiku në Rubikon në Klan Kosova.
Kreu i LDK-së tha se preferenca e parë e partisë të cilën ai e udhëheq është të qëndrojë në opozitë, pasi sipas tij, populli i Kosovës ka vendosur kështu.
“Preferenca e parë e LDK-së është të qëndrojë në opozitë. Pra, nuk është preferenca e parë e LDK-së të bëjë çfarëdo qeverie. E kemi provuar qe katër vjet, kam bërë fushatë gjithandej Kosovës, kemi bërë përpjekje për ta bindur popullin e Kosovës, populli i Kosovës ka vendosur kështu dhe duhet të respektohet si i tillë”.
“LDK-ja preferencën e parë e ka opozitën. Ta mbani mend këtë, ne dëshirojmë të qëndrojmë në opozitë. Të punojmë me veten, të rrisim mbështetjen qytetare ndaj nesh, të bëhemi gati për zgjedhje lokale, pra ky është qëndrimi elektoral”, tha ai.