Abdixhiku deklarohet pasi u betua si deputet

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi u betua si deputet i legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se në këtë mandat, LDK-ja do të jetë zë i arsyes.

Postimi i tij:

Sot u konstituua Kuvendi i Republikës. Me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhamë betimin tonë, përpara qytetarëve dhe Kushtetutës, përpara vendit dhe Zotit.

Me përgjegjësi të plotë dhe vetëdije të lartë për besimin e marrë, përfaqësuesit tanë, e nisin mandatin të përkushtuar ndaj ligjshmërisë, demokracisë dhe interesit publik.

LDK do të jetë zë i arsyes, i stabilitetit institucional dhe i shtetit funksional, në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj, në Kuvendin e Kosovës dhe jashta tij.