Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.
LDK në njoftim tha se gjatë takimit u diskutua lidhur me situatën aktuale politike në vend, si dhe për qëndrimin e LDK-së karshi kësaj gjendjeje dhe zhvillimeve të fundit politike.
Abdixhiku i theksoi ambasadorit italian nevojën për” formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, duke nënvizuar se qytetarët e Kosovës po përballen me sfida të mëdha dhe kanë nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe veprime konkrete që adresojnë problemet e tyre të përditshme”.
Po ashtu, LDK tha se Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës ndër vite, në të gjitha proceset shtetndërtuese, demokratike dhe integruese, duke e vlerësuar Italinë si një partnere të rëndësishme dhe mike të dëshmuar të Kosovës.










