ABC News publikon fotografi të reja të Maduros, dhe gruas së tij gjatë transferimit në SHBA

Fotografi të reja të siguruara nga ABC News të dielën tregojnë ish-presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshorten e tij gjatë transferimit të tyre drejt Nju Jorkut nga zyrtarë të DEA-s. Të hënën, Maduro do të paraqitet në gjykatën federale të Manhatanit për seancën e paraqitjes fillestare, lidhur me një aktakuzë me katër pika, në të cilën ai akuzohet se ka udhëhequr një komplot 25-vjeçar të narkoterrorizmit.

Kush po e “drejton” Venezuelën?

Presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez ka marrë përsipër postin e Maduro-s, me mbështetjen e të gjitha institucioneve gjyqësore dhe politike.

Rodríguez dhe vëllai i saj, Jorge, tani në krye të Kongresit, janë shndërruar në figura në ngjitje që kur Maduro mori detyrën në vitin 2013.

Pastaj është Diosdado Cabello, një ish-kapiten i ushtrisë i afërt me të ndjerin Hugo Chávez, i cili ka mbetur një ndërmjetës kyç i pushtetit në ushtri dhe në botën e biznesit.

Të gjithë ata duken të bashkuar në denoncimin e “rrëmbimit” të Maduro-s dhe duken të vendosur të ruajnë strukturat e pushtetit të viteve të fundit.

Pas degës ekzekutive, ka një ndikim të madh — thuajse vendimtar — nga ushtria, e udhëhequr nga Vladimir Padrino, komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Gjatë dekadës së fundit, ushtria ka fituar gradualisht pushtet në të gjitha fushat e jetës në Venezuelë. Për momentin, nuk ka asnjë shenjë se kjo do të ndryshojë.

Donald Trump ka thënë se SHBA-ja e ka nën kontroll situatën në Venezuelë dhe, edhe pse ka shumë gjasa që ai po negocion me Rodríguez për koncesione të shfrytëzimit të naftës, në terren është ushtria ajo që vazhdon ta ushtrojë pushtetin.

Atje, gjithnjë e më shumë, grupe të armatosura ilegale — si gueriljet kolumbiane, sidomos ELN — e kanë konsoliduar pushtetin e tyre dhe kontrollin mbi shoqërinë dhe mbi rrugët e trafikut të drogës. Përplasja mes këtyre grupeve për kontroll territorial tani ka gjasa të rifillojë.

Në realitet, pyetja se kush e ushtron pushtetin në Venezuelë nuk ka pasur kurrë një përgjigje të vetme, të qartë.

BBC, përkthyer nga Nacionale.