AAK: Politizimi i sektorit të ujit po na kushton miliarda litra ujë të humbur

Nga Departamenti për Ujë dhe Politika Mjedisore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës deklaruan se politizimi i sektorit të ujit po kushton me miliarda litra ujë të humbur.

Përmes një komunikate për media, AAK shkroi se në përfundim të mandatit të Qeverisë Kurti, situata me ujin është shqetësuese dhe larg pritshmërive, duke shtuar se me përjashtim të KRU Bifurkacioni dhe KRU Gjakova, të gjitha kompanitë e ujësjellësit në Kosovë kanë rritur humbjet e ujit, duke arritur një mesatare mbi 60%.

Tutje, bëhet e ditur se me gjithë përkeqësimin e situatës në sektorin e ujit, mungon një reagim institucional nga ARRU.

“Vetëm gjatë vitit 2024 janëhumbur rreth 100 miliardë litra ujë – një sasi e frikshme për një vend që përballet me sfida të mëdha në menaxhimin e burimeve ujore. Zvogëlimi i humbjeve të ujit ka qenë gjithmonë një sfidë për këtë sektor, por asnjëherë më parë ato nuk kanë qenë kaq të larta. Madje, para vitit 2021, disa kompani kishin filluar të shënonin përmirësime. Kjo e bën edhe më të pashpjegueshme përkeqësimin e situatës, që sipas eksperteve të fushës, lidhet me qeverisjen joefikase dhe politizimin e skajshëm të bordeve dhe menaxhmenteve”, shkruhet në postimin e AAK-së, në faqen e tyre zyrtare në Facebook.  /Klankosova.tv