“Kemi një propozim si grup parlamentar dhe kërkojmë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që të zgjedhë një shesh në Prishtinë dhe t’i vë emrin e presidentit Trump”.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka kërkuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që të zgjedhë një shesh në Prishtinë dhe t’i vendosë atij emrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump.
Sipas tij, vetëm kështu aleatët nuk do ta harrojnë Kosovën.
“Kemi një propozim si grup parlamentar dhe kërkojmë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që të zgjedhë një shesh në Prishtinë dhe t’i vë emrin e presidentit Trump, në mënyrë që të angazhohen dhe të mos na harrojnë miqtë tanë”.
“Na kanë harruar dhe nuk po merret askush me ne. Si duket, nuk jemi të aftë të zgjidhim asnjë situatë politike në Kosovë”, ka deklaruar Berisha, pas dështimit të tetë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se kjo situatë nuk është drejt përfundimit.
“Po shihet që kjo nuk po mbaron, dhe duket se kandidatët tanë politikë janë mësuar vetëm t’i kapin për krahu dhe t’u thonë se kështu duhet të veprojnë. Ne jemi të shqetësuar për këtë situatë”.
Kuvendi i Kosovës sërish ka dështuar të konstituohet për shkak se Lëvizja Vetëvendosje propozoi kandidaturen e njëjtë për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Për herë të gjashtë, Haxhiu nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë kryetare e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Ajo mori 54 vota, 44 kundër dhe tre abstenime.
Seanca është mbyllur dhe deputetët do të mblidhen sërish të enjten në ora 10:00.
Për gjithë këtë situatë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmëri për të mbajtur konsultime me partitë politike.