AAK-ja ka reaguar ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” duke e konsideruar përmbajtjen e saj të pasaktë si sulm të drejtpërdrejtë ndaj viktimave të luftës dhe kujtimit të tyre.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon ashpër ekspozitën në Prishtinë e cila me vetëdije të plotë tenton të shtrembërojë të vërtetën për masakrat e kryera nga shteti serb ndaj popullit shqiptar në luftën e fundit”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
“Përpjekjet për të rishkruar historinë dhe për të relativizuar krimet e kryera ndaj popullit shqiptar janë të papranueshme dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe kujtimit të tyre. Ekspozita të tilla jo vetëm që cenojnë të vërtetën historike, por edhe lëndojnë rëndë ndjenjat e familjeve të të vrarëve dhe gjithë shoqërisë sonë, duke tentuar të zbehin përgjegjësinë për krimet e kryera”.
Sipas AAK-së, veprime të tilla fyejnë kujtesën e përbashkët dhe sakrificën e popullit të Kosovës.
“Veprime të tilla përbëjnë një fyerje të rëndë për kujtesën kolektive dhe sakrificën e popullit të Kosovës dhe nuk mund të tolerohen në asnjë formë”.
“Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do t’i kërkojë llogari Kryetares së Kuvendit për sqarim të plotë se mbi çfarë kriteresh është bazuar vendimi për financimin skandaloz të kësaj ekspozite”.
“Përgjegjësit për këtë akt të papranueshëm duhet të thirren në përgjegjësi”.










