A u mashtruan qytetarët nga shteti për pajisjet e ngrohjes?

Më 9 shtator 2024, në një dalje të përbashkët nga objekti i Ministrisë së Ekonomisë, atëherë shefja e këtij dikasteri Artane Rizvanolli dhe kryeministri tashmë në detyrë Albin Kurti, prezantuan thirrjen publike për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Sipas njoftimit, qytetarët do të mund të përfitonin deri në 30 për qind të shumës së investuar për pajisje si: pompë termike, kondicionerë, kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) apo stufa individuale me biomasë.

Kriteret nuk qenë të pakta. Për të përfituar nga subvencioni për pompë termike, aplikuesi duhej të kishte një banesë që ngrohej me energji elektrike dhe konsumonte mbi 800 kWh në të paktën një muaj të periudhës nëntor 2023  mars 2024.

Po ashtu, shtëpia nuk duhej të kishte qasje në ngrohje të qytetit dhe duhej të ishte e termoizoluar, me sistem të instaluar të ngrohjes qendrore. Subvencioni për këtë pajisje mund të shkonte deri në 2 mijë euro.

Kriteret për kondicionerët ishin pothuajse të njëjta, me theks në dëshminë e konsumit të lartë të energjisë dhe izolimin termik të shtëpisë.

Aplikimi kërkonte dokumentacion të gjerë, përfshirë kuponin fiskal të blerjes së pajisjes.

Por, disa muaj më vonë, rezultatet konkrete të kësaj thirrjeje mungojnë. Qytetarja nga Gjilani, e cila aplikoi dhe përmbushi të gjitha kushtet, ende nuk ka marrë asnjë rimbursim, raporton Kiks Kosova.

Dhe ajo nuk është e vetme, pasi në rrjetet sociale janë shfaqur dhjetëra komente të qytetarëve që ndajnë të njëjtën përvojë.

Kiks Kosovës, Ministria e Ekonomisë i ka thënë se nga thirrja e fundit për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje kanë aplikuar 13.416 qytetarë, e përfitues janë shpallur 11.188 qytetarë.

“Interesim më të madh ka pasur për kondicioner/klimë efiçiente ku janë shpallur përfitues 8,582 qytetarë. Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë përfituese e fondeve të IPA-së, me një buxhet prej 75 milionë euro dhe me qëllim të realizimit të këtyre fondeve, Qeveria ka hartuar planin e veprimit, i cili përmban 6 masa të cilat janë të detajuara. Deri më tani janë rimbursuar gjithsej 14,095,734.52 euro nga te gjitha masat dhe specifikisht nga thirrja e fundit për pajisje ngrohëse janë shpenzuar 4,987,061 euro”, tha ME-ja.

Përgjigjet ende nuk janë kthyer për rastin konkret të qytetares nga Gjilani, e cila mbetet në pritje të 400 eurove të premtuara.