Serbia po ndërmerr hapa konkretë për të sabotuar formimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë, përmes ndërhyrjeve direkte dhe presioneve të shumta ndaj përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë e joserbë. Kjo doli si konstatim I mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur të dielën nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Pak orë pas kësaj, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gënjeu publikisht, duke thënë se opozita ia mundësoi pjesë-marrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit Listës Serbe. Këto dy postime me ‘Serbi’ brenda u shpërndanë gjithandej nëpër rrjetet sociale nga aktivistë e pushtetarë të Vetëvendosjes.
Ajo që dihet është se Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka thirrur seancën konstituive që do të mbahet me 15 prill. Kryetari i VV-së, Albin Kurti i tha myftisë së Kosovës, për bajram, se qeveria do të votohet po atë ditë. Por, nga takimet që Kurti ka pasur me deputet e nga pozicioni i opozitës (PDK, LDK, AAK), që s’bëjnë qeveri me Kurtin, duket se karta e rradhës e Vetëvendosjes do të jetë ajo e zakonshmja. ‘S’jeni me neve, jeni me Serbinë’.
Çka ndodhi?
Sipas komunikatës së lëshuar, pas Mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare, Serbia akuzohet se ka kryer “ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror të Kosovës”.
“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë,” thuhet në komunikatë.
Kjo, siç thuhet aty, është realizuar përmes kërcënimeve, joshjeve dhe shantazheve të hapura ndaj deputetëve joshqiptarë, me qëllim të sabotimit të procesit të konstituimit të institucioneve të reja.
“Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë.
“Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë,” thuhet me tej në reagim.
Serbia u akuzua gjithashtu se po “ushtron trysni të paparë” ndaj serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
“Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë.”
Gënjeshra ‘me Serbi’ e Haxhiut
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka gënjyer publikisht, duke thënë se opozita ia mundësoi Listës Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Pse po gënjen ministrja? Haxhiu po gënjen sepse ishte vendimi i PZAP-së, që urdhëroi KQZ-në ta certifikoj Listën Serbe. Pra, PZAP, organ i pavarur dhe jo opozita.
Pse Qeveria, ia mundësoi Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje? Sepse, në vendimin e PZAP-së, thuhej se ky subjekt nuk bjen ndësh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Qysh do të binde ndesh? Lista Serbe do të binte ndesh me këtë ligj e nuk do të çertifikohej, nëse Ministria e Punëve të Brendshme ose Qeveria do t’i përdorte mekanizmat e saj, siç është, shpallja organizatë terroriste. Pastaj, nëse ky dokumentacion i kërkuar nga PZAP, nga ministritë e linjës do të dorëzohej aty, Lista Serbe s’do të mund të ishte pjesëmarrëse.