Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë pajtuar që t’i lehtësojnë kufizimet për gazetarët e njëra-tjetrës si shenjë e uljes së lehtë të tensioneve mes dy fuqive botërore.
Gazetar shtetërore kineze, “China Daily”, raportoi të mërkurën se marrëveshja është arritur para samitit virtual mes presidentëve Joe Biden dhe Xi Jinping, që u mbajt një ditë më parë, shkruan The Guardian.
Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do t’u lëshojnë viza njëvjeçare me hyrje të shumëfishtë gazetarëve kinezë dhe menjëherë do të nisë një proces për ta adresuar “kohëzgjatjen e statusit”, raportoi gazeta kineze.
Në anën tjetër, Kina do të veprojë në mënyrë reciproke duke ofruar trajtim të barabartë për gazetarët amerikanë posa të hyjë në fuqi masa e re e Shteteve të Bashkuara dhe të dyja palët do të lëshojnë viza për medie për aplikuesit e rinj duke u bazuar në ligjet dhe rregulloret përkatëse, raportoi më tej gazeta kineze.
Në një deklaratë për agjencinë “Associated Press” të martën, Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha se Kina është zotuar për lëshimin e vizave për një grup të reporterëve amerikanë, “duke marrë parasysh se ata janë të pranueshëm sipas të gjitha ligjeve dhe rregulloreve të zbatueshme”.
Kina gjithashtu është zotuar për ta zgjatur kohën e vlefshmërisë së vizave për mediet amerikane nga 90 ditë, sa është tash për tash, në një vit.